Miratohet Korniza Afatmesme Buxhetore për vitin 2020-2022

Prishtinë | 28 Qer 2019 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Me shumicë votash këtë të premte është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore për vitin 2020-2022. Para të pranishmeve Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka dhënë një elaborat të gjerë sa i përket përmbajtjes së kësaj kornize, si dhe për projektet madhore që pritet të realizohen gjatë këtyre viteve në Ferizaj.

Kryetari Aliu është shprehur se ky dokument në secilën faqe të tij, përmban konstruktin e zhvillimit ndër vitet e ardhshme, i jep kuptim edhe më të gjerë dhe bindje më të plotë – fjalës sonë publike – zotimeve për kryerjen e qindra projekteve të domosdoshme për qytetarët tanë.

“Qytetarët ferizajas kanë plotësisht të drejtë të ndihen të sigurt, të garantuar për qeverisjen që administron me resurset publike, me parimin që ngërthen modelin tonë të qeverisjes – ndershmërinë dhe përgjegjshmërinë. Edhe në planin buxhetor – parimi i “ekonomistit të mirë” është themeli i projeksioneve tona për shpenzimin e parasë publike. Mbështetur në këto të dhëna , konstatojmë se Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitit 2020 do të jetë 33 milionë e 463 mijë euro , apo më i lartë se buxheti i vitit aktual 2019 për kuotën 8.17%. Kjo rritje buxhetore më së tepërmi do të reflektoj te rritja e kategorisë mallra dhe shërbime, si pasojë e ndryshimeve kontabël të ndodhura në nivelin planifikues qendror”, ka potencuar Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se Korniza Afatmesme Buxhetore 2020/2022, përfshinë vlerën financiare për investime kapitale mbi 9 milionë e 86 mijë euro, për vitin 2020, e shpërndarë në projekte kapitale, dhe krahasuar me vitin aktual kemi shënuar 9.18% më pak buxhet, si pasojë e bartjes së mjeteve në kategorinë ekonomike mallra dhe shërbime e cila kategori ka shënuar një rritje prej 28%, krahasuar me vitin aktual si poashtu edhe kategoria e subvencioneve ka shënuar rritje për 20.83%, krahasuar me vitin buxhetor 2019. Udhëkryqeve tona projektuese, do t’i shtojmë edhe projekte gjigande, si fjala vjen ndërtimi i kolektorit verior të kanalizimit fekal, përfundimin e ciklit të investimeve në programin e përmbylljes së infrastrukturës rrugore dhe nëntokësore, ndërtimin e kolektorit veri – perëndimor, rregullimin e parkut tek Varrezat e Reja, si dhe një sërë projektesh që garantojnë zhvillimin, reformën dhe përkujdesin e shtetit në dobi të qytetarëve”, ka përfunduar Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Shefi i Grupit të Asambleistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Imeri duke vlerësuar lartë planifikimin e paraqitur në KAB nga ekzekutivi lokal tha se është e pandershme nga ana e opozitës që të kërkohen projekte të reja, kur vet këta të fundit nuk e kanë lënë këtë mundësi.

“Para vetes kemi Kornizën Afatmesme Buxhetore, e mira e saj është që kemi rritje të buxhetit për vitet në vazhdim nga buxheti prej afër 31 milionë në vitin 2019 deri në fund të periudhës që përfshinë KAB-i, kemi afër 36 milionë pra një rritje të buxhetit për 5 milionë krahasuar me këtë vite, ku qysh në vitin pasues pra në 2020 kemi të paraparë rritje të buxhetit nga buxheti aktual për 2.5 milionë. Sa i përket shpërndarjes së mjeteve fatkeqësisht shumë projekte edhe pse kanë kaluar disa vite nga ish qeverisja vazhdojnë të mbulohen me buxhetin e kësaj qeverisje. Roli jonë si asambleistë në bërjen e buxhetit edhe pse është i vogël sipas ligjit na është zvogëluar edhe më shumë për shkak të obligimeve të bartura, të cilat duhet të kryhen patjetër sepse janë obligime kontraktuale. Nuk ka mjete në dispozicion që ne si asamble të mund t’i bartim apo t’i destinojmë ku mendojmë ne, thjesht duhet paguar projektet e nisura dhe të cilat duhet mbulohen edhe me buxhetin e vitit 2020” tha Imeri.

Për këtë pikë të rendit të ditës, diskutoi edhe asamblisti nga radhët e Lëvizja “Vetëvendosje”, Enver Haliti, i cili tha se e gëzon fakti që buxheti i vitit të ardhshëm është më i lartë për 2.5 milionë euro, mirëpo sipas tij ky dokument strategjik nuk është që po bënë ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve ferizajas.

Menjëherë pas asamblistit Haliti, ka qenë nënkryetari Naim Ferati i cili ka reaguar duke theksuar se nuk duhet të krijohet huti tek qytetarët. Ai ka thënë se është e vërtet që ka ulje tek investimet kapitale rreth 900 mijë euro dhe ka rritje tek mallrat dhe shërbimet, por nuk qëndron problemi tek ajo se për çka janë ngritur mallrat dhe shërbimet dhe për çfarë është bërë ulja tek investimet kapitale. Në mënyrë të detajuar ai ka specifikuar edhe projektet të cilat kanë të bëjnë me investimet kapitale, por edhe me ato të cilat dalin tek shërbimet dhe mallrat.

Nga ana tjetër, Muharrem Svarqa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Korniza Afatmesme Buxhetore është njëri ndër dokumentet më të rëndësishme që bëhet për tri vitet e ardhshme, mirëpo sipas tij, ka shpërputhje të shifrave në këtë dokument shumë të rëndësishëm, e që mund të jenë edhe gabime teknike.

Në këtë mbledhje me shumicë votash u mor vendim që të hiqet nga rendi i ditës aprovimi i Rregullores për Përcaktimin e Orarit të Punës së Veprimtarive Afariste dhe Veprimtarive të tjera në territorin e Komunës së Ferizajt, për t’u konsultuar edhe më tej dhe proceduar në njërën nga mbledhjet e Kuvendit. Me shumicë votash u mor vendim që të vihet në diskutim publik edhe draft rregullorja për varrezat, ofrimin e shërbimeve të varrimit, Rregullimi dhe Mirëmbajtja e tyre. Në këtë mbledhje asamblistët kanë parashtrua edhe pyetje të ndryshme me ç ‘rast përgjigjet i morën nga drejtorët e drejtorive komunale.

Image may contain: 2 people, people smiling, people sitting and indoor

Të ngjashme