Molliqaj- ZRrE-së: Keni punuar për interesa të KEDS-it, jo qytetarëve

Prishtinë | 12 Pri 2018 | 12:30 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bordi i Zyrës së Regullatorit të Energjisë (ZRrE) para komisionit për Zhvillim Ekonomik ka prezantuar Parametrat Rregullativë me anën e të cilave caktohen të hyrat dhe tarifat e operatorëve dhe tarifat përfundimtare të konsumatorëve, raporton Ekonomia Online.

Dardan Molliqaj nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP),  ka fajësuar ZRrE-në se në përgjithësi është shërbyes i KEDS-it dhe jo shërbyes i interesave të qytetarëve.

“Kam probleme thelbësore me juve, kam përshtypje që ZRrE-ja në përgjithësi i ka shërby interesit të kompanisë private, KEDS-it, sesa interesit të qytetarëve”.

Ai ka thënë se janë bërë pazare për ndërrimin e tarifave vitin e kaluar, ku bllok tarifat janë shndrruar në tarifa të njëtrajtshme.

“E kam më lehtë me kuptu politikën e ZRrE-së sikur KEDS-i të ishte organizatë ose kompani publike edhe po ashtu do ta kisha lehtë sikur mos të flitej për miliona euro fitime neto të kësaj kompanie. Politikat e juaja kanë qenë të dëmshme dhe kanë rënduar ekonominë familjare në Kosovë, ndërsa një kompani ka përfitu shumë”,

“Në vitin e kaluar kemi diskutuar për tarifat e vendosura në prill të 2017 ku i keni heq bllokun e tarifave dhe keni bërë tarifë të njëtrajtshme, keni thënë se ky është vit provues. Sugjerimi im ishte se nuk keni nevojë për vit provues, por t’i zvogëloni tarifat për shpenzime të njëjta të vitit paraprak ju del që a shpenzojmë më shumë apo më pak dhe prej kësaj ka dal që ka përfituar KEDS-i dhe janë dëmtuar qytetarët e Kosovës prej ekonomisë familjare deri te bizneset e vogla. Me këtë i keni shërby kompanisë dhe e keni dëmtu interesin e qytetarit të Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Arsim Janova,  ushtruesi i detyrës së kryesuesit të Bordit të ZRrE-së, nuk është pajtuar me deklaratën e Molliqajt duke thënë se është vlerësim personal dhe se nuk mendojnë njëjtë të gjitha deputetët apo qytetarët.

“Është çështje e vlerësimit të juaj nuk mund të përzihemi në atë çështje. Personalisht nuk pajtohem me atë mendim. Tarifat kanë ndërruar në vitin e kaluar, është bërë pas një diskutimi të gjatë. Fakt është se nëse KEDS-i ka përfituar prej kësaj, në procesin e vlerësimeve 5 vjeçare ato mjete ku ii kemi dhënë më shumë ne i marrim pastaj”, ka thënë Janova.

Ndërsa sa i përket përcaktimit të tarifave të njëtrajtshme për verë-dimër, Janova ka thënë se kjo ka ndikuar mirë sepse nuk ka pas ankesa nga qytetarët se ka shtrenjtim të rrymës për sezonin e dimrit.

“Shumë pak kemi pas ankesa dimrit, kemi pas tarifa të njëtrajtshme për verë-dimër”, ka shtuar ai.

Deputetja nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka shtruar çështjen e përdorimit të termit humbje politike lidhur me faturimin e energjisë në veri të Mitrovicës. Ky term u përdor gjatë prezantimit të Parametrave Rregullativ nga bordi i ZRrE-së.

Në këtë prezantim u tha se pas faturimit të energjisë elektrike së veriut për qytetarët e pjesës tjetër të Kosovës, ZRrE-ja është ballafaquar me humbje politike, komerciale dhe teknike.

Kusari-Lila përdorimin e këtij termi e pa si ta panevojshëm sepse sipas saj një institucion si Zyra e Rregullatorit nuk duhet ta trajtojë si të tillë.

“Humbje politike që po përdorët nga ZRrE-ja është një term që po gjykon hartën administrative të Kosovës. Nëse  trajtohet politikisht nga ju si Zyra e Rregullatorit nuk është në rregull, sepse kjo është humbje komerciale dhe nuk duhet të fillojmë tash ta shohim edhe këtë si politike. Mos të fillon prej një institucioni si ju që të trajtohet si humbje politike”, ka thënë Kusari-Lila.

Janova u përgjigj duke thënë se në dokumente zyrtare nuk përdorët si term, por është një gabim teknik i prezantuesit për Parametrat Rregullativ.

“Në dokumente zyrtare nuk e kemi të shkruar si humbje politike, është një gabim teknik”, ka thënë ai.

Ndërsa, Petrit Popaj po ashtu nga ZRrE-ja përdorimin e këtij termi e arsyetoi duke thënë se është përdorur si i tillë sepse sipas tij ky problem nuk ka alternativë tjetër të zgjidhjes së problemit përveç zgjidhjes politike.

“Energjinë e pa faturuar e kemi dërguar në veri deri më 2 dhjetor kur ka vendosur Gjykata që mos ta dërgojmë. Kemi qenë të kujdesshëm, por kemi përmend aspektin politik, sepse kjo çështje kërkon zgjidhje politike. Performanca e efikasitetit në kohën kur është privatizuar KEDS-i nuk ka pas matje të efikasitetit. Cakun e humbjeve për veriun, nuk mund të caktojmë një cak përderisa nuk ka shtrirje në atë pjesë. Ajo energji është mbuluar përmes konsumatorëve, sepse nuk ka pas asnjë alternativë tjetër. KOSTT-i tash është duke u përball me një sfidë të madhe”, ka thënë Popaj.

“Prej 2 dhjetorit e deri më tash, KOSTT-i ka tërheq energjinë prej operatorëve të huaj, KOSTT-i ka bërë përpjekje me gjet alternativën. Humbjet janë të definuara me ligj, një humbje që nuk e mbulon një operator, është humbje që duhet të trajtohet nga shteti”.

Të ngjashme