Mosfurnizimi me energji dhe kostot e larta rrezikojnë mbylljen e shumë bizneseve

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 10:41 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mosfurnizimi i rregullt me energji elektrike dhe kostot e mëdha që u faturohen bizneseve në Kosovë, po e rrezikojnë veprimtarinë e tyre.

Kështu u tha në një konferencë të përbashkët shtypi lidhur me këtë problematikë, që mbajtën të hënën, kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Berat Rukiqi; drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka; dhe kryetari i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha.

Rukiqi tha se energjia elektrike mbetet sfidë për funksionimin e bizneseve në Kosovë.

“Janë dy çështje që këto dy ditë i kanë ngritur bizneset tek ne dhe Klubi i Prodhuesve. Kanë kërkuar vëmendjen tonë dhe të institucioneve për t’i trajtuar këto çështje, sepse nëse nuk rregullohen rrezikohet veprimtaria e tyre”.

“Energjia elektrike mbetet ndër barrierat kryesore jo vetëm për koston edhe për furnizimin e rregullt. Në këtë fazë është menduar që do të kemi dy lëvizje që e ndihmojnë prodhuesin, mirëpo për shkak të problemeve edhe këto dy alternativa nuk po mundësohen”.

Ai ka thënë se nëse nuk liberalizohet tregu i energjisë deri me 1 prill, shumë biznese rrezikojnë do të mbyllen.

“Mundësia e vetëkonsumit të energjisë, një ndalesë që nuk ka bazë teknike dhe çështja e dytë për koincidencë është çështja e tregut të energjisë. Prej 1 prillit supozimi është që do të ketë liberalizim, mirëpo po del që nuk ka liberalizim praktik. Ne kërkojmë veprim të shpejt dhe urgjent”.

“Nëse nuk zgjidhet çështja e tregut deri më 1 prill shumica e bizneseve nuk kanë interes të punojnë sepse kosto do të jetë 30 ose 40% më e lartë. Ne kemi kërkuar që ta kemi një takim me kryeministrin dhe Komisionin parlamentar për Energji dhe t’i diskutojmë këto anomali”, theksoi Rukiqi.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, tha se problemet me energji elektrike po ndikojnë negativisht në ardhjen e investitorëve të huaj.

“Nëse vazhdojmë me këtë tendencë të të bërit biznes, ne po e përkeqësojmë edhe më tej ambientin e të bërit biznes. Zyra e Rregullatorit të Energjisë pavarësisht që është e pavarur ajo duhet të jap llogari te Kuvendi”.

“Çmimi që paguajnë bizneset është paradoksale. Bizneset po vazhdojnë të subvencionojmë energjinë elektrike”, tha ai.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, ka thënë se mohimi i vetëkonsumit me energji për bizneset nga ZRrE-ja është i padrejtë, raporton EO.

“Do ta shpreh shqetësimin për sektorin e prodhimit sepse mohimi i të drejtës për vetëkonsum nuk ka logjikë, sepse shumica e vendeve të rajonit investojnë mjete të mëdha në burime alternative të energjisë”.

“Ndërkaq në Kosovë, ZRrE-ja pa asnjë të drejtë ua mohon këtë. Me liberalizim të tregut në botë ulen çmimet, ndërkaq në Kosovë fuqizohet kompania dhe rriten çmimet. Humbjet vjetore të prodhimit nga mosfurnizimi me energji elektrike janë rreth 300 milionë euro”., theksoi Panxha.

Të ngjashme