MSA-ja rriti importin nga BE-ja, por jo eksportet e Kosovës drejt BE-së

Prishtinë | 01 Pri 2019 | 11:55 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në trevjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur një tryezë diskutimi me titull “Rritja e përfitimeve nga MSA”, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se MSA-ja ka afat 10-vjeçar të zbatimit, por sipas saj, Kosova është i vetmi shtet evropian që ka raportuar më së shumti reformat e zbatuara të saja gjatë kësaj periudhe.

“MSA-ja paraqet marrëveshjen e parë kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, qëllim që ka është fuqizimi i demokratizimit, stabiliteti institucional ekonomik, promovimi i bashkimit kombëtar, tranzicioni i plotë në ekonomi të tregut, promovimi i bashkimit rajonal, etj”, tha ajo.

Sipas Hoxhës, të rëndësishme janë reformat në kuadër të MSA-së, të cilat përmirësojnë klimën e të bërit biznes.

“Rëndësi kanë reformat që përmirësojnë klimën e të bërit biznes, në fushën e ekonomisë në veçanti dhe duke krijuar parakushte për konkurrentëve të drejtë, lëvizjen e lirë të mallrave etj, në MSA parashihet një gamë e gjerë e reformave që kanë filluar të zbatohen dhe përmbushja e tyre, për ne qëllimi është i qartë dhe është i vetmi ku pa marrë parasysh se kush është në pushtet të gjithë kemi qëllimin e njëjtë, anëtarësimin e plotë në BE”, u shpreh Hoxha.

Ajo tha se Kosova është e gatshme t’i implementojë të gjitha reformat e nxjerra nga marrëveshja e MSA-së.

“Drejt integrimit në BE ne jemi të gatshëm për të implementuar gjitha reformat e nevojshme. Ministria që unë drejtoj do të vazhdoj të mbikëqyrë zbatimin e obligimeve të dala nga MSA-ja edhe zbatimi i agjendës për reforma si qeverisja e mirë, fuqizimin e ligjeve, kemi zhvillu trend pozitiv në implementim”, shtoi ajo.

Hoxha tha se në 2019 pret të ketë dinamikë më të shtuar dhe zbatueshmëri në praktikë.

Arian Zeka, drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, tha se duhet të shihet se sa Kosova ka arritur të shfrytëzojë këtë marrëveshje në përfitim të ekonomisë vendore.

“Ne sot do diskutojmë për bërjen e bilancit të këtyre viteve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), sa është në fuqi, sa kemi arritur ta shfrytëzojmë ne ekonomia në Kosovë dhe cila mbetet rruga para, ashtu që të maksimalizohen përfitim që burojnë nga kjo marrëveshje”, tha Zeka.

Visar Hapçiu, udhëheqës i Institutit për Hulumtime Ekonomike, ka prezantuar studimin e Odës Amerikane lidhur me ndikimin e MSA-së.

Ai tha se ende Kosova nuk ka arritur të balancojë eksportin me importin drejt Bashkimit Evropian.

“Nëse shihet statistikat e tregtisë përkundër marrëveshjes, janë rritur eksportet e BE-së drejt Kosovës, por nuk janë rritur eksportet e Kosovës drejt BE-së”.

Ai tha se ndër të paktat ndërmarrje, Ferronikeli ka arritur t’i orientojë produktet e veta drejt BE-së. “Eksportet drejtë BE janë modeste, mirëpo me trend të rritjes në 2018”, tha Hapçiu.

Sipas hulumtimit, sfidë e Kosovës është imazhi jo i mirë i vendit te partnerët e BE-së.

“Sfida kryesore është imazhi jo i mirë i Kosovës te partnerët potencialë të BE”, tha ai.

Hapçiu tha se sipas pyetësorit që i është bërë bizneseve në Kosovë, se cilat janë hapat që duhen ndërmarrë në infrastrukturën e cilësisë, ato kanë thënë se më shumë mbështeten në dhënien e granteve.

“Bizneset janë të kënaqura me mjedisin fiskal, i cili është përmirësuar dukshëm në vitin 2018 krahasuar me 2014. Bizneset janë të kënaqura sa i përket proceduarve administrative në tregti”, tha Hapçiu, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme