MTI-ja kërkon raport nga AUV-ja për vajin e palmës

Prishtinë | 06 Pri 2018 | 15:57 | Nga

Rritja e vazhdueshme e importit të vajit të palmës në vend ka bërë që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), të kërkojë sqarime nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), rreth përqindjes së lejuar për përdorim të vajit të palmës.

Përdorimi i këtij vaji në produkte të qumështit përveç që është i dëmshëm për shëndetin, i krijon humbjen edhe për industrinë vendore të qumështit.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se sasia e importit të vajit të palmës është duke u rritur vazhdimisht.

“Shqetësimi i im është sepse vaji i palmës nuk përdoret në masa të caktuar, sipas praktikave të vendeve të Bashkimit Evropian, pasi nëse përdoret mbi 20 për qind, atëherë ai është kancerogjen. Prandaj në mungesë të raporteve kemi kërkuar nga Agjencia e ushqimit dhe Veterinarisë që të na jep një raport me shkrim, sesa është e lejuar përdorimi i vajit të palmës. Pas këtij raporti natyrisht kemi me marr masa edhe ndaj vajit të palmës”, tha Hasani në Emisionin “Përballje” në RTV Dukagjini.

Ai ka treguar se vaji i palmës në Kosovë, përdorët për produktet me prejardhje nga qumështi, është më i lirë dhe u konvenon edhe prodhuesve.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se në tre muajt e parë të vitit 2018 janë importuar më shumë se 800 mijë kilogramë vajë palme.

“Në periudhën 1 janar 31 mars të vitit 2018, në vendin tonë janë importuar 801,353.50 kilogramë me vlerë prej 619,478.43 euro”, tha Stavileci, shkruan Telegrafi.

Kurse, Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori”, ka thënë se jo vetëm Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, por edhe institucionet e tjera duhet të bëjnë më shumë për të siguruar produktet të sigurta për konsum.

Sipas tij, shumë herë nuk mbrohen interesat e qytetarëve por interesa tjera.

“Parimisht si konsumator nuk jemi mjaftueshëm të kënaqur me asnjë mekanizëm, agjension, këshill, komision e rregullator. Kemi thënë disa herë se të gjitha janë të politizuara dhe nuk i shërbejnë qytetarit konsumator taksapagues, por partive politike, grupeve të tjera të interesit dhe lobeve biznesore “, tha Kaçaniku.

E zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, nuk kanë kthyer përgjigje rreth përdorimit të vajit të palmës edhe pse me ligj janë të obliguar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme