MTI nënshkruan marrëveshjen që synon reformimin e sistemit të inspektimeve biznesore

Prishtinë | 10 Maj 2018 | 10:34 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

International Finance Corporation (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për të ndihmuar në përmirësimin e mjedisit të biznesit përmes reformimit të sistemit të inspektimeve të biznesit, duke thjeshtuar procedurat administrative dhe duke ofruar shërbime më të mira për investitorët.

Marrëveshja synon të rrisë konkurrueshmërinë e bizneseve më të vogla vendore duke ulur kostot e pajtueshmërisë me rregullatoret dhe duke ndihmuar në tërheqjen dhe mbajtjen e investimeve duke forcuar kornizën ligjore dhe të politikave, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tha se ky projekt është financuar nga Qeveria Zvicerane e cila ka kontribuar 2.3 milionë në projektin më të gjerë të klimës së investimeve, i cili do të zbatohet deri në vitin 2020.

“Tërheqja e investitorëve të huaj është i nevojshëm dhe me këtë projekt duam të zvogëlojmë numrin e inspektimeve të panevojshme të biznesit, të lehtësojmë barrën administrative për bizneset dhe t’u shërbejmë investitorëve në mënyrë më efikase”, tha Hasani.

“Sot në nivel vendi kemi 42 inspektorë ku mendohet të zvogëlohet ky numër në 15 dhe kemi bërë një grup punues dhe besoj që kjo ndihmë do të ketë përvojë më të mirë me ndërkombëtarë për të ardhur deri në reformim, sepse numri i reformimit të këtyre inspektorëve prek shumë fusha të ndryshme dhe do të jetë hap i mirë për vendin tonë“, shtoi Hasani.

Ndërsa, menaxheri Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Thomas Lubeck tha se njëra ndër sfidat kryesore që ka Kosova është niveli i lartë i papunësisë dhe se zhvillimi më i madh ekonomik vjen nga sektori privat i bizneseve në Kosovë.

“Synimi ynë është të përmirësojmë klimën e investimeve në Kosovë për investitorët vendorë dhe të huaj”, tha Lubeck, raporton EO.

“Ne do të punojmë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për reformën rregullatore, duke ndihmuar në rritjen e transparencës dhe tërheqjen e investineve në Kosovë për të nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, shtoi Lubeck.

Të ngjashme