Muçiqi kërkon që paga minimale të jetë 500 euro, qytetarët e shohin si të vonuar këtë hap

Prishtinë | 27 Shk 2022 | 10:18 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësuesi i Departamentit të Estradës në Odën e Hotelerisë, Afrim Muçiqi, ka thënë se paga minimale deri në 250 euro është ofendim për qytetarët, derisa vazhdohet me trendin e rritjes së çmimeve në Kosovë. Ai ka kërkuar që paga minimale në Kosovë të jetë 500 euro.

Ndërsa qytetarë, të intervistuar nga Ekonomia Online, janë shprehur se rritja e pagës minimale është e vonuar, pasi shumë të rinjtë tashmë janë larguar ose kanë aplikuar në ndonjërën nga ambasadat e shteteve më të zhvilluar me synimin që të ikin.

Këngëtari Afrim Muçiqi ka folur për ikjen e punëtorëve, sidomos në sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë. Ai thotë se shkaku kryesor i ikjes është paga e vogël në Kosovë.

“Në qoftë se kemi rritje të çmimeve çdo ditë dhe rroga minimale do të jetë 200-250 euro, kjo absolutisht është e papranueshme, është ofenduese për qytetarët e Kosovës. Është një gënjeshtër e kulluar e të gjitha partive politike, të cilat para zgjedhjeve gjithmonë e kanë gojën plot rroga, rroga megalomane, ndërsa kur po vijnë në pushtet, për vete po i rregullojnë rrogat, ndërsa për qytetarët e Kosovës, për punëtorët sidomos të sektorit privat absolutisht nuk i merr askush parasysh”.

“Ka shumë punëtorë, fatkeqësisht, të cilët kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës; nuk ka asnjë lloj sigurimi dhe të jetë rroga aq e dobët. Unë mendoj që duhet të jemi të gjithë syçelë dhe urgjentisht të merren masa që ky fluks i njerëzve që kanë mësyrë ambasadat e huaja të ndalet sa më shpejt”, ka thënë ai.

Muçiqi thotë se si Odë kanë kërkuar që paga minimale e punëtorëve të sektorit privat të jetë 500 euro.

“Sa i përket qeveritarëve, deputetëve, ministrave dhe të gjithëve ne e dimë fare mirë që ata i kanë rrogat jashtëzakonisht të mëdha, ndërsa një polic për shembull, me sa e lexova është 392 euro. Kjo rrogë është shumë shqetësuese për arsye se e dimë që në kohën e pandemisë e gjithë Policia e Kosovës, kanë kujdestaru dhe kanë qenë në vijën e parë të frontit me Covid-19. Këto janë rroga jashtëzakonisht të dobëta, kështu që për ne si Odë absolutisht ka me qenë e papranueshme. Kërkesat tona kanë qenë janë dhe do të jenë të vazhdueshme që rroga minimale të jetë 500 euro”, ka thënë Muçiqi.

Ndërsa, qytetarët ankohen për pagat e ulëta, të cilat nuk i plotësojnë as për së afërmi nevojat që i kanë si familjarë.

Ragip Gashi nga Prishtina thotë për Ekonomia Online se me të ardhurat e tij në vlerë prej 200 euro, i mban 6 anëtarë të familjes.

“Kurrqysh hiq, shumë keq”, shprehet ai, kur pyetet se a ia del. “Unë 200 euro në muaj i marrë, ai i merr 36 mijë euro në vit… Kur ka për ta (politikanët) le të ketë edhe për ne. Me nda një kafshatë në mënyrë proporcionale të gjithë”.

Gashi thotë se rrogat duhet të rriten, sepse çmimet po rriten çdo ditë. “Çka me ba unë me 200 euro, i mbaj 5-6 anëtarë të familjes? Çka me ba me to”, përsërit ai.

I riu Bleon Dermaku e konsideron si hap të vonuar iniciativën për rritjen e pagës minimale, pasi sipas tij gjysma e rinisë kanë shkuar jashtë vendit.

“Është dashur edhe më herët, pasi që gjysma e rinisë kanë shkuar jashtë shtetit. Është një ndihmesë jo pak, por shumë. Unë kam punuar për një pagë minimale 50 euro në muaj”, tha Dermaku.

Të ngjashme