Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 11:05 | Nga Ekonomia Online

Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë organizuan konferencën e përbashkët “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri”, e cila u mbajt në kuadër të Forumit Ekonomik Mbarë-Shqiptarë.

Kjo konferencë kishte për qëllim prezantimin dhe adresimin e sfidave dhe barrierave tregtare që prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë po hasin gjatë tregtimit të produkteve të tyre në këto dy tregje, por edhe mundësitë dhe lehtësimet që i ju janë ofruar nga të dy qeveritë përkatëse.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve, Fejzulla Mustafa tha që është kënaqësi që të gjithë bizneset të jemi prezent në këtë takim për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit, por kjo kënaqësi do të ishte shumë më e madhe nëse sot do të ishim në kohën e liberalizimit të tregut shqiptarë. Ai përmendi shumë barriera si tarifore dhe jo tarifore të cilat prodhuesit i hasin në tregti me Shqipërinë por me asnjë vend tjetër.

Gjatë prezantimit të marrëdhënieve tregtare në mes të këtyre dy vendeve, u cek që pengesat kryesore për prodhuesit kosovar në eksport janë barriera jo-tarifore, ku në çdo eksport, autoritetet shqiptare iu kërkojnë kopjen origjinale (ose kopjen e noterizuar) të Certifikatës së Cilësisë për produktet që i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe veterinar. Procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, pagesa në rrugën e kombit, mos-marrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare, zbatimi i normës të lartë të akcizës janë disa nga pengesat të cilat e rrisin koston e prodhimit por edhe e ulin nivelin e konkurrueshmërisë së produkteve të Kosovës në tregun e Shqipërisë.

Të ngjashme