Murati jep sqarime për subvencionim e punëtorëve e pagave: Mbi 2 500 biznese aplikuan për të përfituar

Prishtinë | 21 Sht 2021 | 12:20 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave dhe Transfere, Hekuran Murati, ka mbajtur një konferencë për medie në lidhje me zbatimin e masave në kuadër të Pakos së Ringjalljes, raporton Ekonomia Online.

Ai ka dhënë detaje për masat 1.1, 1.2, 1.3, që ka të bëjnë me subvencionim e punëtorëve dhe pagave.

“Masa 1.1 në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike ka të bëjë me rikthimin në punë të atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë kohës së pandemisë, masa 1.2 ka të bëjë me formalizimin e punëtorëve dhe mbështetjen e punëtorëve të rinj duke ua paguar 10 % të pagës, si dhe masa 1.3 ka të bëjë me mbështetjen e punësimit të grave. Që nga lansimi i këtyre masave numri i aplikimeve ka arritur në 2500 për të trija masat – për masën 1.1 kemi pasë 400 aplikime, për masën 1.2 800 aplikime dhe për masën 1.3 rreth 1300 aplikime. Suksesi ka qenë relativisht i mirë, por synimi jonë është që ta shtrijmë edhe më tutje formalizimin, pra të jemi më agresivë në fushatën e formalizimit të punës – puna e deklaruar të bëhet normë në vendin tonë dhe punëtorët të pajisen me kontrata të punës. Ky është edhe synimi jonë dhe prioriteti jonë si qeveri”.

“Për ta arritur këtë synim sa më shpejt dhe sa më lehtë ne kemi paraparë këto masa, megjithatë konsiderojmë se vetëdijësimi ende nuk ka arritur nivelin e duhur, pra që të kemi vetëdijësim nga ana e punëdhënësit dhe punëtorit që puna duhet të jetë e deklaruar dhe të formalizohet. Kjo na ndihmon neve si shtet që të kemi statistika më të mira, na ndihmon që të dimë se ku duhet të ndihmojmë, i ndihmon të punësuarit për shkak që mund të kenë qasje në financim dhe gjithashtu edhe punëdhënësve sepse pagat që i paguajnë për punëtorët e deklaruar mund t’i llogarisin si shpenzime të zbritshme në kuadër të të ardhurave që i deklarojnë në ATK”.

Murati shtoi se synim kanë kthimin në vendet e punës të atyre që kanë humbur punën gjatë pandemisë dhe të mbështesin gratë në tregun e punës.

Madje ai the qëllim kanë që punëtorët të pajisen me kontrata të punës.

“Të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës në kohë të pandemisë dhe që janë punësuar nga data 1 korrik e tutje do të ketë mbështetje në vlerë prej 100 eurosh për tre muaj radhazi. Për të gjithë të punësuarit e ri mbështetja do të jetë tri muaj nga 50 euro”.

Kurse kur foli për bizneset tha se ka pasur mbi 2 500 aplikime për të përfituar nga masat e Qeverisë, raporton EO.

“Deri më tani ne lasnimin e këtyre masave kemi pasur numri i aplikimeve ka arritur mbi 2 500 aplikime për të tria masat. Synimi ynë është që ta shtrijmë edhe më tutje formalizimi pra puna jonë të bëhet normë në vendin tonë si dhe punëtorët të pajisen me kontrata të punës”, u shpreh ai.

Për të gjithë ata që kualifikohen sipas Masës 1.1 (këtu mund të shihni nëse kualifikoheni: https://apps.atk-ks.org/Subvencionim) dhe punësohen, mbështetja do të jetë 3 muaj nga 100 euro.

Për të gjithë të tjerët (Masa 1.2 dhe 1.3) që janë punësuar/deklaruar prej periudhës tatimore korrik 2021 e tutje (e që nuk kanë qenë të punësuar/deklaruar në periudhën qershor 2021) mbështetja do të jetë 3 muaj nga 50 euro.

Aplikimi për subvencionim për punëdhënësit tashmë është i hapur tek platforma EDI në ATK, kurse aplikimi për punëmarrësit do të hapet ditëve në vijim. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 15 tetor, gjë që përbën një mundësi të mirë për të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit të përfitojnë nga këto masa.

Të ngjashme