Murati: Me nivelin e mbështetjes ndaj qytetarëve krahasohemi me Francën e Austrinë

Prishtinë | 19 Shk 2022 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka numëruar një varg mashash që sipas tij janë ndërmarrë nga ekzekutivi për t’u përballur me këtë krizën pandemike dhe njëkohësisht të mos shkaktohet presione tjera inflacionare, raporton Ekonomia Online.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se kanë dyfishuar masën e asistencës sociale për muajt nëntor e dhjetor, si dhe vazhdimin e mbështetjes shtesë për 26 mijë familje për tërë vitin 2022.

“Mbështetjen e 300 mijë pensionmarrësve me një pagesë të njëhershme prej 100 euro për muajin nëntor. Masë të ngjashme kishte ndërmarrë edhe Franca, duke mbështetur familjet e varfra me nga 100 euro, pagesë e njëhershme. Rritjen me 11% për pensionet bazike dhe me 33% për personat me aftësi të kufizuar, përkatësisht, për 170 mijë pensionmarrës”.

“Mbrojtjen e 600 mijë amvisërive nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, duke ndarë 120 milionë euro nga buxheti. Që mesatarisht i bie se secila amvisëri është mbështetur me 200 euro për të mos lejuar rritjen e papërballueshme të çmimit. Sa për krahasim, Austria ka ndarë nga 150 euro për familje pagesë e njëhershme, për t’i ndihmuar ta përballojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike”, ka shkruar ai.

Në total, si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve kemi ndarë rreth 190 milionë euro, vetëm në 4 muajt e fundit.

“Dhe do të vazhdojmë mbështetjen ndaj qytetarëve sepse kjo qeveri është në anën e qytetarëve. Madje, me nivelin e mbështetjes mund të krahasohemi edhe me shtete shumë më të forta ekonomikisht si Franca e Austria. Por nëse i pyet opozitën, ata do të thonë se qeveria nuk po bën asgjë. Madje, edhe fajin për rritjen globale të çmimeve tentojnë t’ia mveshin kësaj qeverie”, ka shkruar Murati në Facebook.

Të ngjashme