Murati: Shteti do të garantojë punësimin e secilit të ri që hyn në tregun e punës

Prishtinë | 11 Tet 2021 | 13:28 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka paralajmëruar fillimin e jetësimit të skemës së garantuar të punësimit për të rinjtë , si pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.


Ai përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ka thanë se janë në fazën e zhvillimit të platformës e cila garanton zhvillimin e këtij procesi.

Sipas tij, ky projekt do të nis nga punësimi i 100 të rinjve në Administratën Tatimore të Kosovës në angazhimin e tyre në sferën e formalizmit.

Postimi i plotë:

Skema e punësimit të garantuar për të rinjtë po jetësohet

Aktualisht jemi në zhvillim të platformës përmes së cilës do të mundësohet automatizimi i tërë procesit. Zhvillimi i platformës po bëhet nga kompani vendore, dhe me mbështetje financiare të Helvetas zvicerane.

Po ashtu, kemi siguruar mbështetje edhe për financim të skemës nga donatorë tjerë, dhe presim që muajve në vijim mbështetja të rritet.

Pilotimin me sektorin publik do ta bëjmë me ATK-në, ku së shpejti do të angazhojmë 100 të rinj për të mbështetur ATK-në në fushatën e formalizimit.

Ndërsa pilotimin me sektorin privat do ta nisim me sektorin e IT-së, që do të fillojë sapo të funksionalizohet platforma.

Secila e re dhe secili i ri që hyn në tregun e punës, do ta ketë punën e parë të garantuar nga shteti.

Edhe një premtim drejt realizimit!

Të ngjashme