Mustafa: Energjia elektrike prioritet i lartë i Qeverisë

Prishtinë | 20 Kor 2016 | 17:27 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), dhe u njoftua nga kryeshefi ekzekutiv dhe bordi i kësaj ndërmarrje publike për të arriturat dhe punën që po bëhet.

Gjatë vizitës, në të cilën shoqërohej nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, kryeministri Mustafa vlerësoi organizimin dhe operimin shumë të suksesshëm të kësaj ndërmarrje publike në pikëpamje të detyrave dhe në pikëpamje financiare.

“Ka pasur investime të suksesshme në periudhën e kaluar rreth 200 milionë euro, dhe po ashtu ka pas një plan shumë konkret të investimeve në të ardhmen, se bashkërisht me Shqipërinë dhe me kyçjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është arritur një projekt tepër i rëndësishëm i transmisionit të energjisë elektrike prej 400 kilovolt, i cili tani po mbetet peng i marrëveshjes që ne e kemi pasur me Serbinë për anëtarësimin e KOSTT-it në organizatën evropiane të Transmisionit të Energjisë”, tha kryeministri.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa tha se do të bëhen përpjekje maksimale që kjo marrëveshje të implementohet dhe që KOSTT-i të operojë në treg krahas fushave të tjera të cilat po i zhvillon në Kosovë, në mënyrë që të arrihet ushtrimi i sovranitetit të plotë në tërë territorin e Republikës së Kosovës në pikëpamje të energjisë elektrike.

“Zhvillimi i energjisë elektrike edhe në pikëpamje të gjenerimit edhe në pikëpamje të transmisionit, në pikëpamje të shpërndarjes, për ne është me rëndësi themelore. Është një resurs tepër i rëndësishëm i cili nuk ndërlidhet vetëm me kapacitetin e gjenerimit, por edhe me këto dy fusha tjera, veçmas edhe me këtë të transmisionit që jemi sot këtu. Është një prioritet i lartë i Qeverisë, tani prioritet edhe i Kuvendit të Kosovës, sepse është një organizatë e cila me ligjin e ri do të qeveriset në mënyrë korporative drejtpërdrejt me kyçjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por, ne si Qeveri do të bëjmë maksimalen që ne të japim kontributin tonë që të arrijmë që KOSTT-i të operojë në tërë territorin e Republikë së Kosovës dhe po ashtu të jetë i barabartë me operatorët e tjerë evropianë në këtë operim”, theksoi kryeministri.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, vlerësoi rolin domethënës dhe të pazëvendësueshëm të KOSTT-it në kuptimin e qëndrueshmërisë, stabilitetit që i jep sistemit elektro energjetik të vendit tonë.

“Ne natyrisht se jemi në kontakte të vazhdueshme me bordin dhe menaxhmentin për sa i takon edhe problematikave ditore që ekzistojnë por edhe aspekteve tjera strategjike të cilat i kemi. Ju e dini që në muajin e kaluar në qershor dhe muaj më parë në dhjetor të vitit të kaluar kemi lansuar linjën e re interkonjektive, pra Autostradën Energjetike, që është njëra nga kryeveprat më të mëdha kapitale që është bërë në Republikën e Kosovës por edhe në Republikën e Shqipërisë dhe presim që ky projekt të operacionalizohet me fillimin e funksionimit të KOSTT-it si një bllok i pavarur”, tha ministri.

Më tej, ministri Savileci tha se si nënshkrues të Traktatit të Komunitetit të Energjisë me seli në Vjenë, Kosova ka një varg obligimesh duke theksuar edhe qëllimet e gjithë regjionit, por edhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të integrohen në të ashtuquajturin treg, rrjet transevropian të energjisë.

“Në këtë drejtim secila prej shteteve i kemi detyrimet dhe obligimet të cilat duhet t’i përmbushim dhe mund të them që në këtë drejtim ndërmarrjet tona dhe institucionet tjera që hyjnë në kuadër të ekosistemit të energjisë janë duke bërë një punë shumë të madhe, punë e cila ndoshta nuk vërehet nga jashtë për publikun, por një punë e pazëvendësueshme e cila i jep sistemit tonë një stabilitet dhe na mundëson që të jemi të gatshëm edhe për projektet e të ardhmes energjetike të vendit tonë dhe mbi të gjithë të projektit “Kosova e Re” të cilin brenda këtyre kapaciteteve të rrjetit që ekziston, edhe KOSTT-i me kapacitet që ka, do ta akomodojë dhe do të jemi të gatshëm për sfidat e ardhshme në momentin që jemi pjesë integrale e tregut rajonal të energjisë elektrike”, tha ministri Stavileci.

Mustafë Hasani, kryeshef ekzekutiv i KOSTT-it, e ka njoftuar kryeministrin Mustafa me të arriturat e KOSTT-it, për zhvillimin e kapaciteteve, për planifikimin e zhvillimit dhe mirëmbajtjen e ndërmarrjes, të cilën ai e quajti një ndër më të mirat në Kosovë.

“Ne po punojmë edhe për investimet në vazhdim, për të cilat shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe Bankën Botërore, USAID, Komisionin Evropian, Bankën për Zhvillim Gjerman, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që të gjitha këto kapacitete, kjo teknologji e avancuar dhe jashtëzakonisht bashkëkohore është në funksion të përditshëm të KOSTT-it”, tha Hasani.

Të ngjashme