Mustafa: Kosova do të përfitojë miliona nga FMN-ja pasi aprovoi Ligjin e ri për Veteranët

Prishtinë | 01 Jan 2017 | 12:42 | Nga

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova do të përfitojë miliona euro nga programet e Fondit Momentar Ndërkombëtar pas miratimit të Ligjit të ndryshuar për Veteranët.
“Vlerësimi i FMN-së, nga shumë takime që i kemi pasur gjatë vitit 2016, ishte se situate me pensionet e veteranëve të UÇK-së, për shkak të listave të fryra dhe mundësisë që fatura të jetë e pakontrolluar dhe rrëshqitëse, rrezikonte stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Buxhetit të Kosovës”, ka thënë Mustafa teksa ka numëruar programet ku do të përfitojë Kosovë.

Posti i plotë i Kryeministrit i pari më 2017

Të nderuar qytetarë,

Një ditë para përfundimit të vitit që e lamë pas, Kosova mori një vendim shumë të rëndësishëm. Pas një pune të gjatë dhe shteruese, ndryshuam dhe plotësuam Ligjin mbi Veteranët e UÇK-së. Ndryshimi i këtij ligji në tre aspekte bazë: kufizimi i pjesëmarrjes në BPV, moskushtëzimi i pensioneve me pagën minimale dhe riklasifikimi i veteranëve, ishte dhe mbetet kusht për të mbetur në program të FMN-së, këtij institucioni shumë të rëndësishëm botëror.

Ja, pse ky vendim ishte aq i rëndësishëm.

Janë rreth 177 milion euro përkrahje buxhetore nga FMN dhe BE-ja të parealizuara për vitin 2016 dhe një pjesë për vitin 2017, të cilat rrezikonim ti humbnin, nëse Kosova do të largohej nga Programi i FMN-së. Po ashtu rrezikonim marrëveshjet e lidhura ose ato që pritet të lidhen për rreth 902 milion euro hua ndërkombëtare me Qeverinë e Francës, atë të Hungarisë, Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës dhe Luksemburgut; me Bankën Botërore, me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, me Bankën Evropiane për Investime, me Bankën Gjermane për Zhvillim dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Kishim informatë se me të qëndruarit në program të FMN-së mund të ndërlidhej edhe përkrahja e Bankës Botërore dhe agjencioneve të saj për të kredituar ndërtimin e TC Kosova e Re (një kredi që parashihet të sillet rreth 700 milion euro).

Vlerësimi i FMN-së, nga shumë takime që i kemi pasur gjatë vitit 2016, ishte se situate me pensionet e veteranëve të UÇK-së, për shkak të listave të fryra dhe mundësisë që fatura të jetë e pakontrolluar dhe rrëshqitëse, rrezikonte stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Buxhetit të Kosovës.

FMN kishte vlerësuar se për këtë destinim mund të ndahen në vit më së shumti 0.7% e Bruto Produktit Vendor, dhe të mos ketë tejkalim të kësaj vlere, e cila do të mbante në korniza relacionet ndërmjet investimeve kapitale, pagave dhe mëditjeve dhe transfereve sociale.

Ne arritëm, që me mirëkuptim dhe marrëveshje me Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, të përfshijmë këtë kriter në ligj së bashku me instrumentet të cilat e bëjnë të mundur përshtatjen e pagesave, për të mbetur brenda shumës prej 0.7% në GDP për vitin 2017. Me rritjen e Bruto Produktit Vendor (GDP) çdo vit do të rritet edhe shuma e cila destinohet për këtë qëllim.

Kuvendi dhe Qeveria me ndryshimin e këtij Ligji, ofruan stabilitet për kreditorët, për investitorët e jashtëm dhe të brendshëm dhe kapacitet për të përballuar kërkesat dhe detyrimet nga Buxheti I Republikës së Kosovës dhe për të mbajtur një nivel të përballueshëm të ngarkesës së Bruto Produktit Vendor me tatime dhe taksa.

Falënderoj deputetët të cilët morën pjesë në seancën e Kuvendit, edhe pse ishte dita e parafundit e vitit 2016, dhe aktivisht kontribuuan për një vendim shumë të rëndësishëm për të ardhmen ekonomike dhe sociale të vendit tonë. Ky Ligj si dhe Buxheti prej mbi 2 miliard euro është bazament për një vit të mbarë e të suksesshëm. IM

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme