Mustafa: Me reciprocitet dëshpërimi në Serbi mund të jetë edhe më i madh se me tarifën 100 %

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh ekspert i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa në një postim në Facebook ka thënë se masa e reciprocitetit mund të jetë edhe më dëshpëruese për Serbinë se sa tarifa 100 për qind.

“Këto ditë, sidomos pas marrjes së detyrës nga Qeveria e Re u aktualizua shumë çështja e tarifës 100% të vënë në importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Qeveria dhe partnerët e koalicionit edhe në fushatën zgjedhore patën deklaruar se taksën mund ta heqin por do të zbatojnë parimin e reciprocitetit në raportet me Serbinë në tregti ( barriera tarifore e jo tarifore), aspekte tjera ekonomike dhe në çështje politike. Parimisht zbatimi i reciprocitetit dhe tarifa janë dy gjëra të ndryshme, tarifa mund të jetë pjesë e reciprocitetit, por nuk e zëvendëson e as nuk e përjashton atë”, ka shkruar ai.

Sipas tij secili shtet e ka të drejtë të natyrshme, të padiskutueshme dhe të vetëkuptueshme që marrëdhëniet ekonomike, diplomatike dhe politike me vendet e tjera t’i ndërtojë mbi parimin e reciprocitetit.

“Shikuar nga ky kënd ndërmarrja e masave proporcionale të reciprocitetit, si përgjigje për veprime të dëmshme për të, ndaj Serbisë dhe çdo vendi tjetër, nuk do të duhej ta vinte Kosovën nën presion ndërkombëtar, pasi që kjo sheshazi do të shpërfaqej si joparimore dhe asimetri ndaj palëve në konflikt apo mosmarrëveshje”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa tutje ka shtuar se fakti se Republika e Kosovës hezitoi në vazhdimësi ta zbatojë këtë princip ndaj Serbisë, po edhe ndaj vendeve të tjera në disa raste, mund të shpjegohet me një “zemërgjerësi” të saj, me shprehje të konstruktivitetit që problemet të tejkalohen me dialog e marrëveshje, me këshillat dhe sugjerimet e partnerëve të rëndësishëm e të ngjashme.

“Megjithatë kur neglizhimi i zbatimit të këtij parimi bëhet kronik, sidomos kur pala tjetër bëhet e shurdhër dhe injoron kërkesat dhe qasjen tonë konstruktive është një situatë që më shumë flet edhe për neglizhencë, sjellje inferiore ndaj nevojës që të mbrohen interesat politike, ekonomike, diplomatike të vendit, përkatësisht qytetarëve, bizneseve të tij dhe dinjitetit të tyre. Serbia tenton në vazhdimësi, të injorojë realitetet e reja të krijuara me pavarësinë e Kosovës, ndaj sillet me arrogancë e mospërfillje dhe bile as “nuk e vë në hesap” se mund të goditet nga masat gjithëpërfshirëse të reciprocitetit që mund të marrë Kosova”, ka shkruar ai.

Sipas tij dëshpërimi mund të jetë edhe më i lartë në Serbi nëse zbatohet masa e reciprocitetit.

“Ndaj duhet pritur që “dëshpërimi” në Serbi për ato masa do të jenë ndoshta edhe më të mëdha se sa për tarifën 100%. Mirëpo ajo duhet të pajtohet dhe mësohet me këtë si një kërkesë bazike për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve. Sa për tarifën ajo mund të vihet në shqyrtim. U vu për shkak pezmit të grumbulluar nga sjellja tejet agresive të Serbisë për të penguar njohjet, për ndikuar me masa të natyrave të palejueshme që disa vende të vejnë në pyetje ose të tërheqin njohjet e Kosovës si shtet, dhe në të njëjtën mënyrë ta pengojë edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata e institucione ndërkombëtare, ndonëse në një nga marrëveshjet e Brukselit ajo ishte zotuar që mos ta bëjë këtë”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa shton se Kosova duhet të diskutojë këto çështje me SHBA-në, e cila ka kërkuar me ngulm nga Serbia që të ndalojë fushatën kundër Kosovës.

“Bashkësia ndërkombëtare, sidomos SHBA por kërkon që Qeveria Serbe ta ndërprejë këtë fushatë dhe Kosova ta tërheq ose pezullojë tarifën për të rifilluar dialogun. Qeveria e Kosovës mund ta diskutojë këtë çështje me bashkësinë ndërkombëtare këtë çështje dhe kushtet në të cilat do të mund të bëhej kjo, duke përfshirë edhe tarifën. Dhe, nëse Serbia ndërpret praktikën po “dialogoj dhe po sillem armiqësisht” dhe e deklaron haptas dhe obligohet se do ta ndërpres këtë, Kosova mund të përgjigjet me reciprocitet edhe këtu, me pezullim të tarifës”, ka thënë Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme