MZhE-ja e bën me ngrohje qendrore shkollën e Molliqit

Gjakovë | 24 Shk 2017 | 17:01 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) ka përuruar ngrohtoren qendrore në shkollën “Jahë Saliu” në Molliq të Gjakovës. Projekti, përmes efiçiencës së energjisë, ka kushtuar 62 mijë euro.

Ministri Blerand Stavileci theksoi se MZhE-ja ka në fokusin e saj projekte të mëdha në veçanti në fushën e efiçiencës, minierave dhe teknologjisë së informacionit, por edhe programe dhe nënprograme të tjera të cilat lidhen me fusha specifike në kuadër të sektorit të energjisë.

“Njëra prej atyre e cila na bënë që edhe ta kursejmë energjinë edhe të kujdesemi për shëndetin publik, por edhe të ofrojmë kushte më të mira si në këtë rast në këtë shkollë fillore të Komunës së Gjakovës, që të ndikojmë që duke përmirësuar ambientin dhe kushtet fizike të cilat nxënësit i kanë të ndikojmë më shumë dhe më mirë në kualitetin e mësimnxënies”, tha ai.

Stavileci tha se kanë zgjedhur disa shkolla në kuadër të projektit të efiçiencës së energjisë për të zbatuar masat, qoftë të ngrohjes, të termoizolimit, ndriçimit e të tjera.

Ai paralajmëroi dhe ngritjen e Fondit të Efiçiencës së Energjisë, për të cilin veç ka nisur buxhetimi këtë vit.

“Sot po e përurojmë investimin në këtë shkollë, e cila numëron më shumë se 300 nxënës. Shihet se kaldaja e instaluar, sistemi në klasë e në korridore dhe në aneksin e objektit, do të ndikojnë që këta nxënës të jenë më të gëzuar, të kënaqur dhe më të motivuar gjatë procesit mësimor”, tha Stavileci për Ekonomia Online.

Ministri tha se ky nuk do të jetë projekti i fundit dhe se investimet ku i kanë bërë tash po i përurojnë.

“Sivjet do të jemi me një program edhe më të ngjeshur dhe do t’i kemi disa projekte të këtij karakteri, me të cilat ne arrijmë disa efekte pozitive në të njëjtën kohë; që të ofrojmë një ngrohje stabile që do të thotë kushte më të mira për qytetarët, në këtë rast për nxënësit apo për këdo që i shfrytëzon hapësirat e caktuara të objekteve përkatëse; e dyta kursejmë konsumin e energjisë elektrike në mënyrë që të mos jetë ajo klasikja që energjia elektrike të përdoret edhe për ngrohje; dhe i treti që ne i kontribuojmë edhe mjedisit edhe shëndetit publik”.

Drejtoresha komunale e Arsimit, Diana Qarkaxhija, theksoi se nxënësit tani do të kenë ngrohje konstante sikur në shtëpitë e tyre.

“Më shumë se 300 nxënës kanë punuar gjatë orarit të tyre të rregullt dhe nuk do ta kenë më problem që stufat të ndizen më herët e të kthehej tymi e të tjera”, tha ajo.

Kurse drejtori i shkollës “Jahë Saliu”, Isa Zenuni, pohoi se ky projekt ka qenë prioritet kryesor në planin zhvillimor të shkollës së tyre, por për shkak të kostos financiare nuk kanë mundur ta realizojnë.

“Këtë vit, me ndihmën e MZhE-së në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Gjakovës, arritëm synimin tonë. Kështu që u krijuan kushte më të mira për mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor në shkollën tonë. Për këtë arsye i jam mirënjohës MZhE-së”, u shpreh Zenuni.

Kurse, deputeti Hajdar Beqa, falënderoi ministrin Stavileci për këtë projekt, për të cilin tha se asnjëherë nuk ka hezituar t’iu përgjigjet kërkesave të komunitetit.

“Ka qenë kërkesë e rëndësisë së veçantë, sepse kjo shkollë ka qenë shkollë e dëmtuar gjatë luftës dhe se nxehja ka qenë kërkesë mediate”.

Shuma e investimeve në këtë projekt është mbi 62 mijë euro.

Të ngjashme