MZhE ndan 810 mijë euro për ujësjellësin e Mitrovicës, humben miliona nga mosinkasimi në veri

Mitrovicë | 28 Dhj 2017 | 16:10 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirin, vizituan sot kompaninë rajonale të ujësjellësit “Mitrovica” në Shipol të Mitrovicës.

Ata u njoftuan për së afërmi nga drejtori i kompanisë rajonale të ujësjellësit, Sami Miftari, për gjendjen në ujësjellës.

Pasi ka dëgjuar ankesat e drejtorit Miftari se, deri më tani, nuk kanë pasur asnjë mbështetje nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), ministri Lluka ka dhënë një lajm të mirë për këtë ndërmarrje publike.

“Erdhëm për ta komunikuar lajmin se janë ndarë 810 mijë euro për ujësjellësin e Mitrovicës”, tha Lluka, raporton Ekonomia Online.

“U pajtuam në fillim të janarit për investimet në ‘Ibër-Lepenc’. Mora përsipër të rrisim investimet kapitale për këtë. Nga Qeveria hungareze kemi marrë kredi 25 milionë euro dhe kredi të tjera për zgjerimin e rrjetit aktual”, tha kreu i MZhE-së.

Me këtë rast, u bë e ditur se kompania ka humbje rreth 1 milion euro në vit nga furnizimi me ujë i qytetarëve të pjesës së veriut, e të cilët nuk kanë paguar asnjëherë faturat që nga vitit 1999.

Drejtori Miftari tha se problem kryesor i fabrikës për trajtimin e ujit, e cila ndodhet në lagjen Shipol në pjesën jugore, është furnizimi i qytetarëve të veriut me ujë, pasi që mjetet e harxhuara për atë pjesë nuk janë kompensuar. “Janë sfida që reflektojnë në inkasimin me ujë”, tha ai.

“Kemi disa prioritete për përmirësimin e shërbimeve me ujë. Deri më tani asnjë investim nuk është bërë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për Mitrovicën, është regjion specifik më i varfër”, u shpreh ai.

Të ngjashme