MZhE sqaron ndërprerjet e energjisë elektrike në Fushë-Kosovë dhe Suharekë

Prishtinë | 16 Dhj 2018 | 22:13 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka sqaruar mungesën e energjisë elektrike për komunën e Fushë-Kosovës dhe Suharekës.

Ministri Lluka ka thënë se ka pranuar ankesa të shumta për mungesë të energjisë elektrike në këto dy komuna, me ç’rast është kujdesur që të shikojmë zgjidhjen e problemve në mënyrë që qytetarët e këtyre dy komunave të kenë çasje në këtë shërbim bazik për nevojat e tyre.

“Në këtë moment, duke iu falenderuar bashkëpunimit të institucioneve relevante, të dy komunat kanë energji elektrike. Përderisa për Suharekën investimi nga KOSTT është finalizuar dhe nuk pritet të ketë ndërprerje për shkak të mirëmbajtjes, në Fushë-Kosovë situata mund të jetë më e nderlikuar”, është shprehur Lluka

Kreu i MZHE-së, ka thënë së “KOSTT është paraparë të investojë në Fushë-Kosovë për të përballuar zgjërimin/ndërtimin e shpejtë që ka rritur kërkesën për energji elektrike më shumë se kudo tjetër në Kosovë, mirëpo një investim i tillë nuk është arritur të realizohet këtë vit për shkak të mungesës së financave si rezultat i mos implementimit të marrëveshjes për energji nga ana e Serbisë”.

“Nga ana tjetër, për shkak të mbingarkesës, trafot aktuale nuk kanë qenë të mjaftuara dhe si rezultat, ka pasur reduktime.

Sidoqoftë, për të bërë zgjidhje të shpejtë, KEDS ka investuar në një trafo shtesë që bënë të mundur pjesërisht shpërndarjen e kësaj ngarkese e cila është në realizim e sipër. Edhe pse për momentin e gjithë Fushë Kosova ka rrymë, kjo situatë është e pa parashikueshme, varësisht prej ngarkesave që mund të vijnë. Tani, në këto momente, drejtori i mirëmbajtjes po qëndron në Fushë Kosovë për të përcjellur situatën nga afër dhe për të siguruar furnizim të rregull”, tha ndër të tjera ministri Lluka.

Aktualisht, Suhareka ka energji elektrike dhe nuk pritet të ketë reduktime të mëtejme.

Të ngjashme