Naftëtarët i reagojnë Autoritetit të Konkurrencës: Tregu lejon vetë përcaktimin e çmimeve të derivateve

Prishtinë | 07 Mar 2019 | 13:19 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës, derivate të naftës, gazrave dhe lubrifikanteve – ShQNGL ka kundërshtuar vendimin e Agjencisë së Konkurrencës – Hetim për shkak të dyshimeve të bazuara për çrregullim të konkurrencës në tregun e derivateve të naftës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, tha se ata nuk kanë pasur marrëveshje çmim në kartel.

“Naftëtarët nuk kanë pasur marrëveshje, e as çmim në kartel”, tha Berjani.

Berjani ka përmendur disa prej kërkesave që i janë bërë qeverisë për t’ia lehtësuar punën e naftëtarëve.

Ai tha se e kanë qitë një kriter, i cili nuk do t’iu pëlqejë shumicës së naftëtarëve, që ndërtimi i pikave të karburantit të bëhet në një largësi të caktuar. “Jemi një shtet i vogël me shumë pika karburanti, rrugët lokale 5 km, magjistrale 10, autostradë 20 km. Jo me u dëmtu, por në të ardhmen kur ligji të hyjë në fuqi të ketë një kriter”.

Ai ka pasur vërejtje edhe për kërkesën e MTI-së që pastrimi i rezervuarëve të bëhet çdo vit. “Unë kam kërkuar që të jetë 10 vite. Pas 10 viteve, nëse operatori ekomomik e sheh se cilësia nuk është në rregull është i detyruar me i pastru rezervarët. Do të kërkojmë nga ministri mos me u ba kjo, sepse kërrkund në botë nuk bëhet kjo punë”, tha Berjani.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekomomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha ekonomia e tregut lejon që çmimet të përcaktohen vetë, por sipas tij, nuk mund të përzihet në punën e organeve të pavarura.

“Ju keni qenë të zëshëm. Jeni shoqata më aktive sa i përket kërkesave të juaja. Por edhe janë problemet e tilla sepse sektori është kompleks. Për qasjen e institucioneve në raport me kompani të caktuara nuk dua të përzihem në punën e organeve të pavarura, por ekonomia e tregut i lejon kompanitë të përcaktohen vetë për mënyrën e punës dhe për kostot e veta dhe çmimin final të produktit dhe kjo nuk është ndryshe as në sektorin e naftës”, tha Rukiqi.

“Mirëpo këtu janë disa elemente shtesë që e diktojnë çmimin e naftës: është akciza, kostot shtesë që në fund të jetë një fitim nga këta që operon dhe dallim fitimi i shitjes me shumicë dhe pakicë”, tha Rukiqi.

“Nuk ka sektor që ka konkurrencë më të madhe, me ligj është që të mos kufizohet importi, por secilës kompani t’i lejohet importi. Edhe në Ligjin e Naftës tentohet të ruhet konkurrenca, sepse secili ka të drejtë me importu dhe me përcaktu çmimin. Ka shumë pompa të benzinës dhe problem mundet me pasë me fiksimi i çmimeve”, tha Rukiqi.

Sipas kryetarit të OEK-ut, Autoriteti i Konkurrencës duhet të mos dëmtojë reputacionin e kompanive.

“Unë nuk e kam bindjen dhe prirjen me besu se ka pasur apo ka fiksim të naftës në treg të naftës. Vetëm kjo masë tregon çfarë numri i madh i kompanive dhe sa konkurrencë mundet me pasë në këtë sektor”.

Prandaj, ai i bëri thirrje Autoritetit të Konkurrencës që “para se me dalë në publik me pompozitet me folë, ta kryejë punën e vet, dhe mos ta dëmtojë reputacionin e kompanive”.

“Ne si Odë Ekonomike e përkrahim punën e pavarur edhe hetimore. mirëpo jo me tendencë”, shtoi Rukiqi.

Ai tha se Autoriteti duhet të parandalojë veprimet e monopolit në vend.

“Duhet të sigurohet konkurrencë e barabartë. Roli kryesor i Autoritetit të Konkurrencës duhet të jetë parandalimi i ndonjë veprimi monopolisitik dhe jo më pas të merren me pasoja. Shpesh dyshoj se shumë institucione kanë kapacitet me kuptu mënyrën se si funksionon tregu i naftës”

Ditë më parë është bërë e ditur se Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet ndaj shitësve të derivateve për shkak të dyshimeve se tregtarët e naftës janë duke bërë shkelje të Ligjit të Konkurrencës, duke mos ulur çmimin e naftës në tregun me pakicë, proporcionalisht me uljen e naftës që është bërë në tregjet ndërkombëtare.

Të ngjashme