Ndërmarrjet publike “dembele” – përfitojnë miliona euro nga shteti, ndikimi i politikës evident

Prishtinë | 15 Jan 2022 | 08:13 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ndarja e miliona eurove nga Qeveria për ndërmarrjet publike, po vlerësohet si tentim për t’i shpëtuar ato nga dështimi nga kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se nëse Qeveria i financon ekstra, atëherë duhet të bëhet privatizimi i tyre që të hiqet barra nga Qeveria dhe nga buxheti i shtetit.

“Ndoshta këtu Qeveria e vendit po bënë edhe një tentim për t’i shpëtuar ndërmarrjet publike për të cilat ne duhet të mendojmë se ndërmarrjet publike pothuajse në shumë vende janë duke dështuar dhe mbështetjen financiare e presin gjithmonë nga shteti”.

“Por që shumë shtete kanë bërë ndryshime për ta bërë më atraktiv në shërbimet e veta dhe i kanë privatizuar qoftë me projektin privato-publik, gjysmë private gjysmë publik dhe në mënyrë që ato mos të jenë barrë e shtetit, e taksa paguesve sepse ne paguajmë çoftë energji, çoftë ujë, mbeturina, mirëmbajtje, ujësjellës. Të gjitha këto i paguajmë dhe prapë shteti duhet të paguaj për ta për të pasur një qëndrueshmëri”.

“…nëse ne duhet t’i financojmë ekstra për t’i mbledh të gjitha këto shërbime nga ne, atëherë duhet të shkohet në privatizimin e këtyre ndërmarrjeve dhe të vlerësohet se në atë formë do të hiqet barra nga Qeveria dhe nga buxheti i shtetit. Prandaj konkurrenca është ajo që i bënë më atraktive dhe i bënë më inovative në shërbimet e veta”, tha Shahini.

Ndërsa, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu tha se ndërmarrjet si Trepça, KEK-u dhe Telekomi duhet të mbështeten e shndërrohen në kontribuues interes të shtetit.

Sipas tij, ndërmarrjet publike janë të stërngarkaura me militant partiak dhe në këtë drejtim është shumë e vështirë që ta ketë rifillim të mbarë.

“Vetë krijimi i Qeverisë Kurti 2 nuk është një shkop magjik që t’i zgjedh problemet nga e kaluara. Ka me vite të tëra që ka pasur diskriminim ka pasur korrupsion e keqmenaxhim në veçanti pas procesit të privatizimit bastionet e së keqes në Kosovë kanë qenë ndërmarrjet publike të cilat janë të stërngarkaura me militant partiak dhe në këtë drejtim është shumë e vështirë që ta kemi një rifillim të mbarë”.

Ai thotë se ndërmarrjet duhet që të mbështeten që të mos falimentojnë dhe të shndërrohen në kontribuues të shtetit, por edhe të japin llogari për mjetet e shpenzuara.

“Në këtë drejtim duhet të bëhet më tepër që të japim llogari për krimet e bërë nga e kaluara ata që kanë qenë bartës dhe jo të jenë gjithmonë të falur. E dyta duhet të ketë prurje ekonomike dhe të rritet llogaridhënia e cila do të bartet tani e tutje. Kur e sheh Trepçën, KEK-un, Telekomin nuk duhet këto asete të analizohen nga dimensioni ekonomik”.

“Duhet të mbështeten të mos falimentojnë dhe të shndërrohen në kontribuues të shtetit. Dhe nëse nuk jepet llogari nga e kaluara për të gjitha këto dëme dhe do të ketë zhgënjim për qytetarët e Kosovës, po rëndohen aspekti social në Kosovë sepse janë militantë të ngjyrave të ndryshme. Kjo është barrë që kërkon kohë dhe mund”, tha Gërxhaliu.

E pronar i kompanisë “Meka”, Burim Piraj theksoi se subvencionimi shkakton dembeli kudo, duke shtuar se kjo ka ndodhur edhe me ndërmarrjet publike.

Sipas tij, duhet të bëhet modernizimi i tyre dhe largimi i politikës nga ndërmarrjet publike.

“Duhet të mirë menaxhohet  dhe të eliminohen nga ndërmarrjet publike sidomos ndikimi politik dhe të punësohen më shumë profesionistë për t’i udhëhequr ato ndërmarrje. Ka mënyra të ndryshme të kontrollohen ato ndërmarrje nga auditorë ndërkombëtar dhe të bëhet përzgjedhja e bordeve”.

“Subvencionimi shkakton dembeli kudo të jetë. Duhet të bëhet modernizimi i kompanive dhe largimi i politikës”, tha Piraj.

Së fundi Qeveria na ndarë 40 milionë euro nga Pako e Ringjalljes Ekonomike për Trepçën dhe Telekomin e Kosovës.

Të ngjashme