Në cilin sektor po investojnë më së shumti të huajt në Kosovë

Prishtinë | 17 Nën 2021 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Investimet e huaja direkte ndikojnë në rritjen e mundësive për integrim ekonomik duke krijuar lidhje të qëndrueshme dhe afatgjata në tregjet ndërkombëtare. Kompanitë e mëdha botërore transferojnë kapitalin e tyre në ato vende që ofrojnë kushte më të mira në investime.

Përveç taksave më të ulëta, fuqisë punëtore më të lirë dhe të kualifikuar, kompanitë janë të interesuara edhe për sundimin e rendit dhe ligjit në vendin e investimeve, por edhe për sigurimin e investimeve nga vendi përfitues.

Ministria e Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar sot raportin “Industria përpunuese”, që u referohet të dhënave të viteve të kaluara, shkruan lajmi.net.

Sipas raportit, Investimet e huaja direkte në Kosovë, për vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, kanë shënuar rritjen më të lartë në sektorin “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit”, ku nga vlera 13.9 milion euro, ka kaluar në vlerë 84 milion euro.

Të dhënat tregojnë, po ashtu, se te aktiviteti ekonomik i Ndërtimit nga një vlerë negative që kishim në vitin 2019 (17.1) është shënuar një rritje prej 10.8 milion euro në vitin 2020 si dhe te sektori Xehetaria dhe gurorët, nga një vlerë negative (6.9) milion euro është investuar në 28.8 milion euro dhe kjo do të thotë se ky aktivitet ekonomik ka shënuar vlerë pozitive për herë të parë në 5 vitet e fundit.

Shikuar nga vlera investuese, sektori i cili ka shënuar vlerën më të lartë investive është aktiviteti i patundshmërisë 201.1 milion euro, ndërsa nëse e krahasojmë me vitin paraprak, ky sektor ka rënie për 22.7 milion euro.

Përveç te Aktivitetet financiare dhe te sigurimet, atij të Ndërtimit dhe xehetarisë dhe gurorët, rritje të IHD-ve, krahasuar me vitin 2019, në vitin 2020 janë shënuar edhe në sektorin e furnizimit me energji, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar, bujqësi, pylltari dhe peshkatari, furnizimi me ujë, kanalizim, menaxhim mbeturinash si dhe aktivitetet profesionale shkencore dhe teknike.

Në kuadër të IHD-ve, sipas sektorëve ekonomik, siç shihet edhe në tabelën nr. 2, në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, rënie është shënuar në sektorin e patundshmërive, prodhimit, transport dhe ruajtje, tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave, etj.

Investimet e Huaja Direkte (IHD) sipas shteteve, gjatë viteve 2015-2020, kanë një trend të qëndrueshëm të ngritjes së vlerës së IHD-ve. Vlera e përgjithshme e IHD-ve për vitin 2020 ishte 341.7 milion euro, që do të thotë se ka pasur rritje për 34.2%, krahasuar me vitin 2019.

Ndër vendet me investime më të larta të IHD-ve, për vitin 2020, është Gjermania, me investime prej 67.5 milion euro, edhe pse krahasuar me vitin 2019 ka rënie për 3.8%. Zvicra për nga investimet radhitet e dyta, me 62.4 milion euro, krahasuar me vitin 2019 si dhe ka pasur rritje për 0.8%, pastaj radhitet Shqipëria me 39.4 milion euro, SHBA-të me 30.4 milion euro, Austria me 27.6 milion euro etj.

Të ngjashme