Në çka po investojnë më shumë mërgimtarët në Kosovë?

Prishtinë | 05 Jan 2022 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Mërgimtarët janë fokusuar në blerje të patundshmërive në Kosovë.

Vetëm në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar janë shpenzuar 265 milionë euro investime të huaja direkte në këtë sektor.

Blerja e banesave, shtëpive e tokave përbën 68 për qind nga gjithsej 389 milionë eurove të investimeve nga jashtë. Kurse 87 milionë euro janë investuar në shërbime financiare.

Investimi i huaj në patundshmëri është rritur për 106 për qind nga viti paraprak. Sipas Petrit Kastratit nga një agjencion patundshmërie, në rritjen e këtij trendi ndikoi periudha e post-izolimit pandemik.

Ai thotë për Klan Kosova se gjatë 2020-ës shumë mërgimtarë nuk patën mundësi të vinin në Kosovë dhe kjo ka ndikuar që kërkesa të rritet një vit më vonë.

Për profesoreshën Kosovare Ukshini, ky lloj investimi nuk sjell fort fryte në ekonominë e vendit, pasi e rrit numrin e punëtorëve, por nuk ndikon në vlerën e shtuar, për të cilën më së shumti ka nevojë Kosova.

Sipas saj, investimet e huaja direkte duhet të orientohen në turizëm, industri e sektorë të tjerë të rëndësishëm.

Përveç shtimit të shitblerjeve, patundshmëria ka shënuar edhe rritje të çmimeve kohëve të fundit, si pasojë e pandemisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme