“Në Kosovë pronat komunale shfrytëzohen edhe nga organizatat jofitimprurëse”

Prishtinë | 15 Dhj 2017 | 14:11 | Nga Donika Osmani

Përfaqësuesit e 46 subjekteve joqeveritare, nënshkrues të deklaratës së përbashkët, në një konferencën për media, në lidhje me Projekt-ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës, i cili është duke u draftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe parashihet t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës deri më 31 dhjetor 2017, u tha se duhet një përcaktim i procesit të veçantë për marrjen në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, raporton Ekonomia Online

Vullnet Sanaja, nga OJQ”Anibar” tha se pronat komunale shfrytëzohen edhe nga organizatat jofitimprurëse të cilat sipas tij ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies dhe ngritjes e vetëdijes shoqërore.

“ Në Kosovë aktualisht pronat komunale shfrytëzohen edhe nga organizatat jofitimprurëse, të cilat kanë siguri juridike apo mbrojtje adekuatë ligjore. Këto organizata kontribuojnë vazhdimisht në përmirësimin e mirëqenies dhe ngritjen e vetëdijes shoqërore, kontribut i rëndësishëm për zhvillim shoqëror dhe ekonomik të vendit”, theksoi Sanaja.

Ai po ashtu tha se rekomandimet i janë dërguar me shkrim grupit punues të MAPL-së me datë 2 nëntor 2017, derisa shtoi se me 13 dhjetor 2017 i kanë ripërsëritur kërkesat për ndryshim të ligjit me anë të deklaratës së përbashkët të organizatave fitim-prurës që është nënshkruar nga 51 organizata jo-fitimprurëse.

Ndërsa, Rina Kika, nga OJQ “ Rritu”, komuniteti Termokiss, tha se deklarata e përbashkët i ka përmbledhur disa pika që kanë të bëjnë me ndryshim e ligjit.

Ajo tha se ligji duhet të përcaktojë proces të veçantë për marrjen në shfrytëzim të pronës së komunës, duhet të ndajë 20% të pronave të paluajtshme të komunës për shfrytëzim jo-fitimprurës si dhe procedurat për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës deri në 1 vit të rregullohet nga komuna.

“ Në kuadër të lobimit për ndryshim të ligjit për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, ligji përcakton paraqitjen e ofertës me çmimin më të lartë, si kriter kryesor për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës. Ky kriter u favorizon bizneset dhe i diskualifikon subjektet jo-fitimprurëse nga procesin marrjes në shfrytëzim të pronës së komunës”, theksoi ajo.

Ajo po ashtu tha se me anë të deklaratës i kanë përmbledhur kërkesat e tyre në katër pika kryesore dhe kanë kërkuar që ligji të:

1. Të përcaktohet një proces të veçantë për marrjen në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës vetëm për subjektet jofitimprurëse përmes konkurrencës së hapur;
2. Të përcaktojë që për këtë proces të zbatohen përshtatshmëritë dispozitat ligjore që vlejnë për subjekte të fitimprurëse.
3. Të destinojn20% të pronave të paluajtshme të komunës për shfrytëzim jofitimprurës
4. Procedurat për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës deri në 1 vit të rregullohen me akt nënligjor i cili miratohet nga komuna.

“Nga këto katër rekomandime kemi konfirmimin nga MAPL  se kërkesa e katër është aprovuar . MAPL-ja ka vendos që të miratojë një proces të posaçëm të cilën do ta rregullojë me akt nënligjor. Sa i përket tri rekomandimeve të para kemi marrë ftesë zyrtarë nga MAPL që të diskutojmë javën që vjen. “

Të ngjashme