Në mesin e punëkërkuesve në Kosovë edhe ata me gradën doktor e master

Prishtinë | 07 Shk 2020 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Një person me gradën doktor (PhD) dhe shumë të tjerë me master janë bërë pjesë e listave me numër të madh të punëkërkuesve në Kosovë.

Vetëm gjatë vitit 2019 punë kanë kërkuar rreth 3 mijë veta në pesë komuna: Prishtinë, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq e Graçanicë. Ndërkohë, më shumë se 14 mijë punëkërkues janë regjistruar për nëntëmbëdhjetë vjet në këto komuna. Të dhënat tregojnë se në katër komunat, përjashto Graçanicën kërkesat janë rritur në krahasim me dy vjet më parë (2017).

Në tabelën që e ka dërguar udhëheqësi i Divizionit për zhvillimin e masave aktive dhe analizave në tregun e punës në Agjencinë e Punësimit, Shpëtim Kalludra, shihet që një femër me gradën PhD është regjistruar si punëkërkuese në Prishtinë. Ndërkohë që me gradën master vetëm në Prishtinë janë 180 veta (prej tyre 118 femra).

Me këtë gradë punë kanë kërkuar edhe 15 veta në Podujevë (prej tyre 7 femra), 35 në Fushë-Kosovë (16 femra), 8 në Obiliq (gjysma femra) dhe në Graçanicë 10 veta me master (prej tyre 4 femra). Që në total janë 248 punëkërkues me gradën master. Në numër shumë më të madh janë ata që kanë përfunduar studimet bachelor e që nuk kanë mundur të gjejnë një vend pune, raporton Koha Ditore.

Vetëm në Prishtinë me këtë nivel të shkollimit punë kanë kërkuar 1666 veta, në Podujevë 339, në Fushë-Kosovë 278 veta, në Obiliq 152 punëkërkues dhe në Graçanicë 131 veta. Ndërsa, me shkollë të lartë është vetëm një femër në Komunën e Prishtinës që është bërë pjesë e listave me punëkërkues.

“Nga data 01.01.2000 deri më 31.12.2019 punëkërkues me shkollë të mesme-gjimnaz i kemi 675 veta në Prishtinë, pastaj 209 në Podujevë, 181 veta në Fushë-Kosovë, 68 punëkërkues në Obiliq dhe 25 në Graçanicë. Me shkollim të mesëm profesional në Prishtinë punë kanë kërkuar 2130 veta, në Podujevë 804, në Fushë-Kosovë 527 veta, në Obiliq 592 dhe në Graçanicë 766 veta”, ka thënë Shpëtim Kalludra duke iu referuar të dhënave nga zyrat për punësim në këto pesë komuna.

Sipas këtyre të dhënave persona me shkollë fillore që kanë kërkuar punë për 19 vjet në Prishtinë janë 739 veta, në Podujevë 642, në Fushë-Kosovë 166, në Obiliq 116 dhe në Graçanicë 41. Ndërsa pa shkollim fare punë kanë kërkuar 968 në Prishtinë, 509 në Podujevë, 998 në Fushë-Kosovë, 491 në Obiliq dhe 608 në Graçanicë.

“Punëkërkues të rinj të regjistruar nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2019 janë: Prishtinë 1518 prej tyre 831 femra dhe 687 meshkuj, Podujevë 516, prej tyre 267 femra dhe 249 meshkuj, Fushë-Kosovë 328, prej tyre 186 femra dhe 142 meshkuj, Obiliq 265, prej tyre 149 femra dhe 116 meshkuj, Graçanicë 368, prej tyre 197 femra dhe 171 meshkuj. Totali punëkërkues të rinj në 2019 është 2995 veta”, ka theksuar Shpëtim Kalludra.

Sipas tij, mosha me më së shumti punëkërkues në të gjitha komunat është ajo 25 deri 39 vjeç, ku në Prishtinë punëkërkues të kësaj moshe janë 3446 veta, në Podujevë 1249, Obiliq 813, Fushë-Kosovë 1272 dhe në Graçanicë 819.

Megjithatë, numri i të papunëve mund të jetë edhe më i madh, pasi jo të gjithë regjistrohen në listat e zyrave për punësim.

“Po, mund të jetë më i madh, mirëpo të dhënat e sakta për popullsinë rezidente mund t’i merrni në ASK në raportin e vlerësimit të popullsisë”, ka thënë udhëheqësi i Divizionit për zhvillimin e masave aktive dhe analizave në tregun e punës në Agjencinë e Punësimit.

Shpëtim Kalludra thotë se gjatë vitit 2019 kanë arritur të ndërmjetësojnë në punësim të rregullt gjatë vitit 2019 për 587 veta. Prej tyre 289 janë në Prishtinë, 55 në Podujevë, 120 në Fushë-Kosovë, 102 në Obiliq dhe 21 në Graçancë. Ndërsa ndërmjetësime në punësim përmes masave aktive në tregun e punës gjatë vitit 2019 janë 1356.

“Në Prishtinë 952, në Podujevë 132, në Fushë-Kosovë 108, në Obiliq 114 dhe në Graçanicë 50…Lidhja e kontratave është e ndryshme. Kryesisht janë mbi 6 muaj e lartë… Marrëveshjet lidhen kur ekziston ndonjë projekt i veçantë për mbështetje për punëkërkuesit”, ka thënë Kalludra.

Të ngjashme