Ngritja e çmimeve, Panxha: Qeveria e Kosovës s’mund të ndikojë në trendet globale

Prishtinë | 26 Tet 2021 | 18:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë se ngritja e çmimeve është trend global dhe se Qeveria e Kosovës nuk mundet të ndikojë në të tilla trende.

Sipas tij, pamundësia e Qeverisë për të ndikaur këtu është tregues i një ekonomie të brishtë që ekziston në Kosovë qysh nga paslufta, njofton Klan Kosova.

“Që nga viti 1999 problemi strukturor i ekonomisë sonë ka qenë negativ. Do të thotë ne importjmë 9 euro dhe eksportojmë 1 euro. Çdo presion inflacionist vjen përmes importit. Nëse qeveritë e kaluara dhe ajo aktuale do ta kishin prioritet zhvillimin strukturor të qëndrueshëm që bazohet në prodhim atëherë inflacioni do ta ishte më i ulët se tani”.

Panxha tha se shtatë muajt e qeverisjes nga kryeministri Kurti janë të paktë për të bërë një ndryshim të tillë strukturor të ekonomisë, duke shtuar këtu edhe problemet e pandemisë.

“Ne duhet të ulemi dhe të shikojmë se nga ka ardhur kjo ngritje e çmimeve. Shumica e ngritjeve të çmimeve kanë ardhur nga faktorët e prodhimit që do të thotë lënda e parë. Kur kemi ngritje të lëndës së parë atëherë secili shtet do të preket. Ne përballemi me ngritje jashtëzakonisht të madhe të çelikut, hekurit, plastikës, derivateve të naftës. Do të thotë çdo produkt bazë që përdoret si lëndë e parë dhe futet në cikël të prodhimit ka pasë një ngritje të madhe”.

Panxha në Info Magazine tha se ka shumë arsye në nivel global që ndikuan në rritjen e çmimeve, përfshirë edhe bankrotimin e shumë kompanive gjatë pandemisë dhe që pas kthimit në normalitet dhe rritjes së kërkesës nuk po mund të përballohen ato.

Por, a mund Qeveria të ndikojë në uljen e çmimeve?

“Se a ka ndikim Qeveria në inflacion, ne s’kemi politikë monetare. Zgjidhje do të ishte sikur të kishim rezerva të miellit ose të vajit në nivel shtetëror atëherë shteti do të mund të intervenonte përkohësisht ta stabilizon çmimin, por nuk mundet në një periudhë të gjatë kohore”.

“Me inspektorë të tregut duhet të shikohet se cilat kategori janë duke u rritur me arsye, pra do të thotë se cilat kategori janë duke spekuluar në këtë panikun e përkohshëm, sepse nëse shohim që një produkt nuk ka pasë rritje dhe kemi rritje kolektive. Për shembull, sot më treguan që është rritur çmimi i pastrimit të veturave, por çmimi i ujit nuk ka ndryshuar që është produkti bazë i një autolarjes, pra është rritur në mënyrë të koordinuar. Çmimi i vajit për ushqim ka pasë rritje që nga janari dhe aty s’kemi arsye pse të themi se ka spekulim të tregtarëve apo prodhuesve.

Panxha tha se sikur Kosova të kishte një ekonomi ku prodhohet më shumë sesa që importohet do të absorbohej shumë më lehtë ngritja e çmimeve.

Të ngjashme