Ngritjen abuzive të çmimeve s’ka as kush ta kontrollojë në Kosovë

Prishtinë | 24 Tet 2022 | 08:20 | Nga Ekonomia Online

Vendimmarrësit kosovarë: qeveritarët, ligjvënësit, por edhe përfaqësuesit e agjencive e institucioneve të tjera të ndryshme, në mungesë të vullnetit politik në radhë të parë, por edhe në mungesë të vendosmërisë dhe paaftësisë individuale e të institucionit, nuk po gjejnë mënyrë për t’u përballur me shpërthimin e egër të çmimeve në republikën tonë.

Nuk po dijnë, apo nuk po duan të ndërmarrin edhe një masë të vetme, e as të përkohshme, për të frenuar vrullin e ngritjes së çmimeve të shumë produkteve bazike nga tregtarët e pandërgjegjshëm, që nuk po ndalen në ngarendjen për të ngritur orë e çast çmimet, duke shfrytëzuar situatën dhe letargjinë institucionale.

Dështuan të miratohen edhe një herë masat e përkohshme për të parandaluar abuzimin e tejdukshëm të tregtarëve me çmimet e produkteve themelore edhe tani kur destabilizimi në tregun Kosovar duket nga qielli. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, të enjten, më 20 tetor, ligjvënësit e Kosovës, e bojkotuan miratimin e këtyre masave, aq shumë dhe aq gjatë të kërkuara nga vetë ata, nga deputetët e Kuvendit. Ata ikën nga salla kur erdhi koha të votohen këto masa, u avulluan sa çel e mbyllë sytë, pasi që tani kishin siguruar mëditjet për pjesëmarrjen në seancën e Kuvendit. Ikën nga votimi ata që me ngulmë kërkuan këto masa për një kohë të gjatë, ata që ‘trumbetuan’ me muaj për “neglizhencën e qeveritarëve për të ndërmarrë masa për t’i vënë një kontroll shfrenimit të çmimeve në Kosovën e varfër skajshmërisht.

Ikën deputët opozitarë nga votimi, por ikën edhe disa nga pozita. E gjithë kjo, u bë për t’u zhvleftësuar forumi, për të mos pasur numrat e bollshëm për votim, siç është bërë thuaja praktikë e rëndomtë në shumicën e mbledhjeve të Kuvendit, sidomos kur në rend dite ka për t’u votuar ndonjë zhvillim me rëndësi të madhe.

Duhet thënë se kosovarët, shumica të varfër financiarisht dhe me mirëqenie të rrezikuar seriozisht nga ngritja abuzive e vazhdueshme e çmimeve, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre të vobektë, duke parë në TV diskutimet kontraverse skajshmërisht të deputetëve pozitë-opozitë, pritën të enjten në ankth rrjedhën e votimit të këtyre masave. Dhe, si shumicën e herave, u zhgënjyen me epilogun. Dhe, kosovarët, këta pra me xhepa bosh, as që duan ta dijnë kush është fajtorë pse vetëm Kosova, ende nuk ka çmime tavan për produktet elementare ushqimore. Ata duan thjesht që mos të paguajnë për çdo ditë çmim të ri më të lartë për bukën, sheqerin, vajin, orizin, qumështin…

Megjithatë, shtrohet pyetja, pse nuk u miratua të enjten projektligji që targeton problemin me abuzime me çmimet?

Sipas ministrit Hekuran Murati, Qeveria ka sjell një ligj i cili e targeton problemin me abuzime të çmimeve. Ndërsa, opozita tha atë ditë se nuk bën ta kemi një ligj të tillë. Si alternativë po propozohet të hiqet TVSH-ja.

“Partitë opozitare nuk e kanë hallin që kompanitë po abuzojnë me çmime, por të hiqet TVSH-ja. Ne me këtë ligj propozojmë çmime tavan dhe e kemi parë që funksionon.”, ka thënë Murati.

Murati theksoi se Projekligji nuk e cenon Kushtetutën e Kosovës ashtu siç u tha nga opozita.

“Nuk qëndron argumenti që është në kundërshtim me Kushtetutën. Kemi të bëjmë me një situatë që duhet të vihet në kontroll abuzimi me çmime”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se projektligji për çmimet tavan do t’i falimentojë tregtarët e vegjël.

“Do të shkatërrohet konkurrenca e lirë dhe nuk do të arrihet qëllimi që e ka ky projektligj”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se tash ka rritje të çmimeve, por nuk ka mungesë të produkteve në treg. Ndërsa, ka folur edhe për manipulatorët e tregut.

“Çmimet janë rritur, por nuk ka mungesë të produkteve në treg. Nëse ka manipulim me çmime atëherë janë mekanizmat që duhet të merren”, ka thënë Hoti.

Po ashtu, ai ka shtuar se nuk mund të vendoset një marzhë e fitimit si për një biznes në Prishtinë, si në një fshat në Dragash.

“Nga ky projektligj do të mbijetojnë vetëm tregtarët e mëdhej”, ka thënë Hoti.

Edhe deputetja Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj është kundër projektligjit për çmimet tavan.

“Mendësia juaj qeverisëse është kundër fitimit”, ka shtuar Bajrami.

Ajo e ka marrë shembull rastin e vendosjes së çmimit tavan për naftë, duke thënë se nafta vazhdon ta ketë çmimin e njëjtë.

“I gjithë progresi shoqëror është ndërtuar mbi synimin e fitimit. Ju me caktimin e çmimeve uniforme dhe caktimin e marzhave bëni edhe një dëm tjetër, ju do të arrini që të falimentoni mijëra dyqane të vogla në fshatra e nëpër lagje periferike të qyteteve”, ka thënë Bajrami.

Edhe partitë e tjera opozitare e kanë kundërshtuar këtë iniciativë.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli duke kërkuar nga deputetët që të votojnë projektligjin për çmimet tavan, tha se këtë vit një ton pelet kushton 740 euro, teksa vitin e kaluar kishte çmimin 180 euro.

Ministrja Rizvanolli tha se çmimi i prodhimit të peletit është nën 200 euro dhe “po flasim për një fitim prej 560 euro për çdo ton peleti që shitet”. “740 euro një ton pelet. 180 euro vitin e kaluar, kemi mëse katërfishim të çmimit të peletit, ndërkohe çmimi prodhimit është nën 200 euro, po flasim për një fitim prej 560 euro për çdo ton peleti që shitet”, tha ajo.

Dhe, megjithë këto përplasje dhe debate kontraverse pozitë-opozitë, Kosova mbeti pa Ligjin për çmimin tavan dhe mbeti vendi i vetëm në njëfarë mënyre pa vendosur sot e kësaj dite njëfarë kontrolli fare të vogël në tregun e çekulibruar totalisht në Kosovë.

Prandaj, në mungesë të çmimeve tavan, siç i kanë të aplikuara që moti thuaja të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë, kosovarët janë të detyruar ta paguajnë për një litër vaj luledielli të rëndomtë 2,65 centë, sado që çmimi i importit të këtij vaji është 1.40 centë.

“Çmimi i vajit (sipas ASK-së) ditën e mërkurë figuron që të jetë 2.65 centë për litër. A e dini sa është çmimi i importit, që ka hy vaji ditëve të fundit? Çmimi mesatar i importit për 1 litër vaj që ka hy në kufinjtë tanë ditëve të fundit është 1.40 centë. Pra, kostoja e importit është 1.40 centë, shitja në raft është 2.65 centë. Marzha e fitimit 90%”, ka thënë Murati, derisa ka arsyetuar Projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet themelore.

“Marzha e fitimit është 90% dhe na thuhet që nuk është problem te marzha e fitimit 90%, problemi është te TVSH-ja 8%. E cila, edhe kur hiqet siç e kemi me rastin e gastronomisë – nuk reflektohet te çmimi për qytetarin por vetëm e rritë marzhin nga 90% në 98% për tregtarin. Këtu e kemi problemin. D.m.th., partitë opozitare nuk e kanë hallin se pse tregtarët abuzojnë me çmime por shqetësimi i tyre është që të hiqet TVSH-ja, të ulen të hyrat e qeverisë prej të cilave mbështeten ata që kanë nevojë, e të trashet fitimi i tregtarëve”, ka shtuar Murati.

Në Kosovë, këtyre ditëve, në shtandet e minimarketeve, marketeve të mëdha dhe supermarketeve tregtohen me çmime të ngritura edhe vezët (kompleti i tyre 30 vezësh), prej 4, 26 eurosh, por edhe prej 4.50 eurosh, madje në ndonjë vend edhe 4,90, për dallim nga javë më parë kur ky komplet vezësh tregtohej me 4.09 euro. Ndërsa, në korrik të vitit 2021, një komplet prej 30 copë vezësh, siç e kujtojnë konsumatorët, ka kushtuar në Kosovë diku më së shumti 2.15 euro.

Ngritje çmimi në javët e fundit ka ndodhur në të gjitha pikat e shitjes anembanë Kosovës edhe të sheqerit, qumështit dhe të produkteve të tij, produkteve higjienike etj. Në anën tjetër, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, praktikisht po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuzivë dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale.

Me fjalë të tjera, po del të jenë të parealizueshme, sado që të formësuara edhe si dokumente, masat e qeverisë që nuk u votuan të enjten në Kuvendin e Koosvës, për frenimin e shpërthimit egërsisht të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore. Thjesht, tregtarët, sidomos ata që gjithnjë treguan prirjet e tyre abuzive, ata që edhe këtyre ditëve i quan çmimet në stratosferë, duke e quar në qiell edhe marzhën e fitimit dhe duke shfrytëzuar ‘frymën’ e krijuar kudo për ngritje çmimesh, do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim me tendecën e ngritjes së pandalshme të çmimeve. S’ka kush t’i parandalojë ata. Institucionet tona po tregohen të pafuqishme, e të paefektshme në ndërmarrjen e ndonjë mase eventuale, siç ndodhi me Projektligjin për çmimet tavan.

Çmimet pra, vetëm sa janë ngritur, por me vrull të përshpejtuar dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura. Deri kur, vështirë se e di ndokush, por dihet nga të gjithë se këtë ngritje të egër çmimesh të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfërit që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata, që tashmë mezi po e përmbyllin muajin me muaj. /Buletini Ekonomik/

Të ngjashme