Nis Java e bizneseve të diasporës

Prishtinë | 17 Tet 2018 | 21:41 | Nga Ekonomia Online

Java me bizneset e diasporës shënoi fillimin e saj formal me një pritje organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano Kosovare.

Ky organizim mblodhi rreth 200 afaristë nga 11 shtete të ndryshme të botës, ndërsa në pritjen solemne e cila u hap nga zëvendës kryeministri i Kosovës, njëherësh Ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi u përçuan mesazhe inkurajimi dhe bashkëpunimi për të gjithë afaristët nga diaspora jonë.

“Ngritja e Kosovës si shtet ka ndodh falë diasporës tanë, andaj dhe ne si qeveri jemi të përkushtuar që të avancojmë marrëdhënien e dyanshme”, tha zv. Kryeministri Gashi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte i qartë në mesazhin e tij: “Dua të bëj diferencën dhe te zhvilloj ide të reja të bashkëpunimit”, duke shprehur përkushtim institucional për të avancuar bashkëpunimin mes afaristëve të diasporës tanë dhe institucioneve të Kosovës.

Në pritjen formale afaristëve ju drejtuan me mesazhe bashkëpunimi edhe Zv. Kryeministri Enver Hoxhaj, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Christian Heldt si dhe Ministrin e Shtetit për Diasporë nga Republika e Shqipërisë, Pandeli Majko.

Java me bizneset e diasporës vazhdon të enjten, ku krerët e shtetit të Kosovës do të vazhdojnë gjatë ditës diskutimet me mysafirët nga diaspora dhe bizneset e Kosovës.

Të ngjashme