Nis Java Globale e Ndërmarrësisë, përkrahja e ndërmarrësve të rinj gjeneron vende pune

Prishtinë | 12 Nën 2018 | 10:42 | Nga Medina Mehmeti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mbështetja e inovatorëve dhe ndërmarrësve të rinj duhet të jetë një ndër objektivat kryesore të shtetit pasi që këto gjenerojnë vende të reja të punës.

Kështu ka thënë drejtori i Innovation Centre Kosovo (ICK), Uranik Begu, në hapje të Javës Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë, sot në mjediset e Kuvendit të Kosovës. Në ngjarje merrnin pjesë dhe drejtuesit e institucioneve, përfshirë kryeparlamentari Kadri Veseli e kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.

Java… organizohet nga Innovation Center of Kosovo (ICK) dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK). Gjatë këtyre ditëve në rreth 170 vende të botës zhvillohen aktivitete të ndryshme për të ngritur vetëdijesimin mbi rolin e ndërmarrësisë dhe inovacionit.

Në fjalën e tij, Begu tha se roli i ndërmarrësisë dhe inovacionit në Kosovë është faktor kyç dhe nxitës i zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik të vendit. Ai theksoi se mbështetja e inovatorëve dhe ndërmarrësve të rinj duhet të jetë një ndër objektivat kryesore të shtetit pasi që këto gjenerojnë vende të reja të punës, dhe bëjnë Kosovën një shtet shembull të zhvillimit të ndërmarrësisë.

“Kjo është koha e fundit që ne të bashkojmë forcat për të inkurajuar të rinjtë tanë për të ecur më tej në këtë drejtim,” ka shtuar Begu.

Ai njoftoi të pranishmit se gjatë kësaj jave do të organizohen 60 aktivitete të ndryshme partnere të së cilave janë mbi 55 organizata dhe biznese të sektorëve të ndryshëm në Kosovë.

“Kjo javë është ngjarja më e madhe festive e cila bën bashkë ndërmarrës, inovatorë, punëdhënës, politikanë dhe aktorë të tjerë që për qëllim kanë zhvillimin e ideve të reja, rritjen e vendeve të punës. Aktivitetet variojnë nga gara aktive, trajnime profesionale, mentorim, ligjërata nga njohës të fushës. Është platformë për bashkëpunim ndërshtetëror me qëllim të përforcimit të ndërmarrësisë”, ka thënë Begu.

Ai ka përmendur sfidat me të cilat karakterizohet vendi ynë, e siç tha Begu, shpesh tejkalojnë mundësitë për të qenë në krye të detyrës.

“Jemi krenarë për ndërmarrës që kontribuojnë në identifikimin e një ekonomike. Idetë e tyre inspirojnë gjeneratat e reja. Platforma ka krijuar një aleancë të fuqishme në mes të institucioneve organizatave,  akademisë për fuqizimin e ndërmarrësisë në vend. Sfidat që karakterizojnë vendin tonë shpeshherë tejkalojnë edhe mundësitë tona që të jemi në krye të detyrës. Të gjithë ne duhet të jemi më të përkushtuar ta avancojmë ekosistemin e ndërmarrësisë si ekosistem për zhvillim ekonomik”, ka thënë ai.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se ndërmarrësia duhet të jetë burim i krijimit të vendeve të reja të punës.

“Nuk ka vend më të mirë për lansimin e javës së ndërmarrësisë,  se sa salla e kuvendit të Kosovës. Nuk ka vend më ideal se kjo sallë,  e që të gjithë ne për të dhënë betim të përbashkët për angazhim për ndërmarrësi. Ndërmarrësia duhet të jetë burim i krijimit të vendeve të reja të punës. Duhet të jetë mundësi unike për gjithëpërfshirje në biznes. Bizneset ekzistuese qe sot shijojnë suksesin e angazhimit duhet të luajnë rolin në këtë drejtim”, ka thënë Zeka.

E ngarkuara me Detyrë në Ambasadën Amerikane,  Colleen Hyland, tha se papunësia në vendin tonë është mbi 60 për qind dhe se ndërmarrësia mundëson plotësimin e mangësive në tregun ekonomik.

“Ndërmarrësia ka mundësi të plotësojë mangësitë në tregun ekonomik. Papunësia në këtë vend është mbi 60 për qind ne disa kategori. Ndërmarrësia krijon mundësi të reja për të rinjtë që mund të japin kontribut këtu.  Dua ta përmend Hana Qerimin , ajo është ndërmarrëse grua që ka arritur sukses në ndërmarrësi. Biznesi i saj ka qenë aq i suksesshëm saqë po e rrit shkollën e saj këtu. Në Kosovë shumë gra mbesin të papunësuara krahasuar me burrat. Kjo është një fushë që edhe gratë këtu mund të shkëlqejnë”, ka thënë Hyland.

Ndërsa Riccardo Serri, Zëvendësshef i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se duke qenë se rinia është e ardhmja e Kosovës ne duhet të fokusohemi në arsimimin e tyre si dhe ofrimin e mbështetjes. Ai shtoi se, edhe pse për të filluar një biznes duhen të përmbushën një sërë kriteresh, me implementimin e ligjeve të duhura dhe sundimin e ligjit Kosova ka një rini e cila mund të ketë sukses jashtëzakonisht të madh në ndërmarrësi.

LEXO EDHE:

Veseli: Duke përkrahur punësimin e të rinjve fuqizojmë shtetin e pavarur dhe sovran

Haradinaj: Nga mungesa e rrymës bizneset humbin mbi 300 milionë € në vit, të përmirësohet kjo gjendje

Lexo më shumë:

Të ngjashme