Nis rrënimi i objekteve afër mihjes së re në Hade e Shipitullë

Prishtinë | 18 Jan 2018 | 19:09 | Nga

Në kuadër të zgjerimit të mihjes së re, në zonën ku janë bërë shpronësimet në fshatrat Hade e Shipitullë, sot ka filluar edhe rrënimi i objekteve të para të cilat janë në afërsi të vendpunimeve.

Rrënimi i këtyre objekteve është duke u bërë në kuadër të implementimit të masave të sigurisë. Pra i jemi ofruar deri në distancën minimale të lejuar perimetrit të shtëpive dhe për të ndërmarrë masat e plota të sigurisë kemi filluar rrënimin e tyre, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), nëpërmes një njoftimi shtypi.

“Gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve tona dhe në vendin ku kanë filluar punën ekipet e rrënimit dhe për të qenë siguria në nivelin me të lartë, kanë mbikëqyrur punimet edhe Policia e Kosovës”.

“Fatmirësisht nuk ka pas asnjë ekses gjatë kësaj pune dhe gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve të parapara dhe në marrëveshje të plotë me të gjitha palët”.

“Disa banorë të këtyre fshatrave kanë qenë aty gjatë kohës sa janë zhvilluar këto punime dhe përveç disa pakënaqësive të shprehura nga një numër i vogël i tyre nuk ka pasur asnjë insistim apo konflikt”, thuhet në njoftim.

KEK-u thotë se i kupton shqetësimet e disa banorëve duke pasur parasysh edhe ndjeshmërinë për zhvendosje nga tokat dhe shtëpitë e tyre. “Por siç e dinë edhe ata dhe gjithë qytetarët, KEK-u në koordinim më të gjithë aktorët e tjerë në këtë proces ka dhënë maksimumin për të përmbushur të gjitha kërkesat banorëve dhe po respektohen standardet më të larta ndërkombëtare për zhvendosje”.

“Kurse sa i përket edhe procesit të nënshkrimit të kontratave me banorët dhe kryerjes së obligimeve financiare përveç zonës së parë e cila tashmë ka përfunduar me një dinamikë të njëjtë jemi duke punuar edhe më përfundimin e tri zonave të tjera”.

KEK-u falënderon të gjithë aktorët që po e dhanë maksimumin në këtë proces, në veçanti banorët e këtyre fshatrave për një bashkëpunim të mirë dhe të sinqertë.

“Siç jemi zotuar nga fillimi i këtij procesin, deri në finalizim të plotë do të mbesim të përkushtuar për të zbatuar në përpikëri obligimet tona si Korporatë duke respektuar çdo vendim të qeverisë dhe komisionit vlerësues në pajtim të plotë me ligjin”, theksohet në komunikatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme