NLB Banka në Western Balkans Summit 2022: Sistemi bankar dhe investimet në Ballkanin Perëndimor

Prishtinë | 25 Tet 2022 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Sot, në konferencën ndërkombëtare “The Western Balkans Summit 2022” të organizuar nga The Economist Group dhe Qeveria e Kosovës, u trajtuan tema mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në forcimin e unitetit të Evropës kundër sfidave aktuale ekonomike dhe sociale. Gem Maloku, Anëtar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka theksoi rëndësinë që sistemi banker ka në Kosovë për më shumë se dy dekada duke promovuar prosperitetin ekonomik me burime të limituara të kapitalit për treg.

“Ne jetojmë në një vend me potenciale të ndryshme, ndërkohë që jemi ndër më të varfërit brenda Europës. Kjo zbrazëti prosperiteti duhet të adresohet me përpjekje të përbashkëta të sektorit bankar, shoqërisë dhe Qeverisë. Kështu, përdorimi efikas i kapitalit potencial të disponueshëm brenda sistemit bankar duhet të përdoret për të mundësuar prosperitet, duke reduktuar pabarazinë në të ardhura, pabarazinë gjinore, ndryshimet klimatike dhe për të mbështetur arsimin dhe inovacionin. Ky është investimi ynë për të ardhmen” u shpreh z. Maloku.

Bankat luajnë një rol udhëheqës në rrugëtimin e financimit të qëndrueshëm, por duhet bërë së bashku me institucionet e tjera me përkushtim të fortë ndaj zbatimit të ligjit duke mundësuar një mjedis të besueshëm investimi, i cili do të ishte katalizator për rritjen ekonomike.

Prandaj, ne në NLB nuk e konsiderojmë Kosovën dhe rajonin vetëm nga një paradigmë investitore, ky nuk është vetëm një treg për ne. Ne jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe ky rajon është shtëpia jonë, prandaj punojmë ta përmirësojmë dhe zhvillojmë për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Të ngjashme