Nuk importohen shpezë të gjalla nga Shqipëria – Thaçi: S’është barrierë, po parandalojmë përhapjen e gripit

Prishtinë | 27 Mar 2022 | 08:39 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim ta ndalojë importit të shpezëve të gjalla nga Shqipëria, pas paraqitjes së gripit të shpezëve, raporton Ekonomia Online.

Lidhur me këtë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi ka thënë se ky vendim është kërkesë ligjore në momentin që shfaqet dhe konfirmohet virusi në secilën zonë të secilit shtet i cili eksporton në Republikën e Kosovës.

Thaçi shton se ky vendim nuk është masë ndalesë apo ndonjë barrierë, por vetëm ka të bëjë me pengimin e përhapjes së virusit të gripit të shpezëve.
“Masa e ndalesës për import të shpezëve nga zona e Durrësit në Shqipëri është masë për të parandaluar përhapjen e gripit të shpezëve duke e ditur që është një sëmundje që ka përhapje të shpejtë.

Dhe vendimi është kërkesë ligjore qe ka për obligim autoriteti ynë ta merr në momentin që shfaqet dhe konfirmohet virusi në secilën zonë të secilit shtet i cili eksporton në Republikën e Kosovës. E njëjta ndërmerret në zonat kudo që shfaqët gripi i shpezëve. Nuk është masë ndalesë apo ndonjë barrierë kjo ka të bëjë me pengimin e përhapjes së virusit të gripit të shpezëve “.

Ai shtojë se ky vendim nuk ka efekt negativ sa i përket qarkullimit tregtar për shkak se qarkullimet e tjera tregtare janë duke vazhduar normal tek autoritetet shqiptare.

“Nuk shoh që do të ketë efekt negativ sa i përket qarkullimit tregtar për shkak se qarkullimet e tjera tregtare janë duke vazhduar normal tek autoritetet shqiptare. Kufiri ka ngritur nivelin e kontrollit dhe janë duke u kontrolluar të gjitha ngarkesat e tjera.

Secili shtet në bazë të rregullave ndërkombëtare për shëndet të kafshëve ka për obligim që secilin rast të konfirmuar të përhapjes së këtij virusi duhet ta raportojë në UE dhe vetë Shqipëria e ka raportuar, edhe ne e kemi raportuar kur e kemi pasur si virus, dhe jemi në linjë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet e shteteve përreth dhe shtetet e tjera për ta ndaluar përhapjen e shpejtë të këtij virusi”.

Ai tha se AUV ka kontakt të vazhdueshëm edhe me fermerët edhe me Shoqatën e Shpezëtarëve, ku kanë urdhëruar që të marrin të gjitha veprimet.

Thaçi ka sqaruar se Kosova vitin e kaluar ka arritur që të parandalojë përhapjen e kësaj sëmundje fale angazhimit të të gjitha institucioneve përgjegjëse, prandaj edhe kërkon kujdes, raporton EO.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me fermerët edhe me Shoqatën e Shpezëtarëve, i kemi urdhëruar që të marrin të gjitha veprimet e masës së biosigurisë në fermat e tyre dhe ata janë shumë vigjilent me kontrollet që i ushtrojnë në fermat e tyre. Jemi të përgatitur mirë, kemi shtabin e emergjencës aktiv dhe gjuhë zyrtarët e ndjejnë përgjegjësinë që duhet marur veprime në çfarëdo situate që do të ndodh dhe që nga drejtori Ekzekutiv dhe secili zyrtar e ka të përshkruar detyrën në kuadër të shtabit të krizës”.

“Ne e kemi pasur si sëmundje vitin e kaluar qysh nga maji dhe falë angazhimit të gjithë mekanizmave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kemi arritur që ta izolojmë dhe parandalojmë përhapjen masive.

Kemi pasur ferma të ekonomive familjare kryesisht që janë prekur nga kjo sëmundje dhe edhe diagnostifikimet dhe asgjësimet sipas ligjit janë ndërmarrë me kohë dhe kemi arritur që ta parandalojmë përhapjen masive dhe kemi arritur që ti kompensojmë gjithë fermerët ashtu siç është e përcaktuar me ligj. Shteti menjëherë ka ndarë mjetet që fermerët mos ta ndjejnë humbjen e madhe që kanë pësuar nga kjo sëmundje”.

Të ngjashme