Oda Amerikane organizon tryezën “Sundimi i ligjit nga perspektiva e sektorit privat”

Prishtinë | 31 Gus 2018 | 11:26 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Departamentit për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i janë dashur 36 muaj për të trajtuar një rast të bizneseve.

Kështu ka thënë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë një diskutimi me temë “Intervistë me gjyqësorin: Sundimi i ligjit nga perspektiva e sektorit privat”, raporton Ekonomia Online.

“Mbi 45% e respondentëve që i janë drejtuar departamentit ekonomik të gjykatës themelore në Prishtinë, thonë se zgjatja e rastit të tyre ka zgjatë për më shumë se 36 muaj, ngjashëm qëndron përqindja e respondentëve që kanë pasur raste të paraqitura pranë departamentit administrativ të kësaj gjykate”.

“Shqetësues është fakti se mbi 90% e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se asnjëherë nuk u janë drejtuar mekanizmave për zgjedhje alternative të mosmarrëveshjeve, siç janë arbitrazhi dhe ndërmjetësimi. Deri më tani, Ministria e Drejtësisë ka bërë një sërë reformash, ku do veçoja themelimin e profesioneve të lira ligjore, të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, që ka rrit ndjeshëm edhe qasjen në drejtësi”, shtoi Tahiri.

Tahiri theksoi se prioriteti i tij, si ministër i Drejtësisë, për këtë vit është rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit, ku vëmendje të veçantë po i kushtohet drejtësisë komerciale dhe sektorit të të bërit biznes.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ndërkaq, tha se nevojitet një sistem i gjykatave, në mënyrë që të jetë garantues se investimet mbrojnë dhe bizneset e ndryshme mund të veprojnë në mënyrë të barabartë.

“Kosova, sipas përcaktimit të vet kushtetues, ka përvetësuar një model të qeverisjes ekonomike që është ekonomi e tregut të lirë, ku sektorët ekonomik ndërveprojnë sipas rregullave të përcaktuara nga tregu dhe intervenimi rregullator i shtetit është minimalist”, tha Idrizi.

“Prej qeverisjes së mirë ekonomike dhe mjedisIt adekuat të të bërit biznes dhe promovimit të investimeve, nevojitet një sistem i gjykatave dhe mekanizmave tjerë te zbatimit të ligjit, që do të shërbejë si garantues se investimet mbrojnë dhe bizneset operojnë në mënyrë të barabartë”, shtoi ai.

Alison Storsve nga Zyra Politike dhe Ekonomike e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë tha se sundimi i ligjit duhet të ndodhë, në mënyrë që të krijohet mjedisi i mirë i të bërit biznes.

“Synimi ynë është të krijojmë në Kosovë një klimë biznesi që të rrisë investimet e huaja dhe të jashtme dhe të sjellë përparim dhe rritje ekonomike për të gjithë qytetarët. Ne kemi shumë punë për të bërë dhe do vazhdojmë bashkëpunimin tonë që për qytetarët të arrijmë atë që duhet bërë”, tha ajo.

Ndërsa, Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane, tha se rritja e efikasitetit është jetike për çrrënjosjen e korrupsionit në Kosovë.

“Ky është një aktivitet vjetor i Odës Ekonomike Amerikane i cili synon të sjellë një formë diskutimi me përfaqësuesit e sektorit privat, drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, përfaqësuesit e organizatave donatore, në këtë rast të Ambasadës Amerikane dhe USAID-it të cilët kanë investuar dhe mbështetur përpjekjen për fuqizimin e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit, efikasitetin e sistemit gjyqësor, përmirësimin e zbatueshmërisë të kontratave si dhe krijimin dhe fuqizimin e mekanizmave alternativ për zgjidhjen e kontesteve”.

“Ne, në Odën Amerikane, besojmë fuqishëm se ky dialog dhe bashkëpunim duhet të vazhdojë edhe më tej, veçanërisht nëse kemi parasysh se bizneseve u mungon besimi dhe institucionet e vendit, përfshirë edhe ato të drejtësisë, dhe besimi nuk mund të  përmirësohet nëse ekziston perceptimi i mungesës së pavarësisë së ndërhyrjes së pushtetit në shtyllën tjetër. Perceptimi i  tillë është jashtëzakonisht i dëmshëm për perspektiven e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja, meqë investitori serioz do të shtrijë operacionet e tij në një vend ku ekziston një sundim i fuqishëm dhe i efektshëm i ligjit” tha Zeka, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme