Oda e Hotelerisë merr premtim se nuk ka më mbyllje totale – Sogojeva: Të pavaksinuarit të mos lejohen në lokale

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 11:16 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Takimi i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, me përfaqësues të sektorit të Gastronomisë, Hotelerisë, Sportit e Rekreacionit, po vlerësohet si i frytshëm.

Nga Oda e Hotelerisë thonë se kanë marrë premtime nga ministri Latifi nuk do të ketë më mbyllje totale për këtë sektor.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, në një bisedë për Ekonomia Online, ka thënë se nëse bashkëpunohet në këtë mënyrë, do të ketë vendime të mira.

“Dje e kemi pasur një takim me ministrin edhe me përfaqësues të shoqatave të tjera. Në takim kanë qenë edhe zëvendësministrja edhe i gjithë kabineti i ministrit. Kjo është një shenjë e mirë që edhe ministria, përkatësisht ministri, e ka kuptuar që pa marrëveshje, pa neve, çdo vendim që merret, nuk po del mirë në terren”.

“Prandaj ne dje iu thamë që i kemi përkrahur dhe e përkrahim këtë iniciativë që tash e tutje të bashkëpunojmë që të dalim sa më mirë me vendime, sepse Covidi e kriza gjatë kësaj kohe, kanë ndikuar dukshëm sidomos për biznesin hotelier e turistik, që të jenë në prag të falimentimit. Prandaj, nëse bashkëpunojmë në këtë mënyrë atëherë mund të kemi vendime të mira dhe të shpëtojmë çka mundemi me shpëtu”, tha Sogojeva.

Tutje, ai iu bëri thirrje pronarëve të lokaleve që pavarësisht lirimit të masave, në hapësira të mbyllura, të mos lejohen qytetarët të cilët nuk janë të vaksinuar.

Sogojeva tha se ka gjasa të kthehemi në pikën zero pasi sipas tij pandemia ende nuk ka kaluar.

“Edhe pse kemi lirim të masave, unë apeloj, i lus të gjithë pronarët, të gjitha subjektet hoteliere turistike, që në hapësira në mbyllura mos t’i lëshojnë njerëzit të cilët nuk i kanë së paku dy vaksina. Të mos kthehemi në pikën zero, mundemi me u kthy në pikën zero”.

“Sipas informatave që i kemi Covidi ende nuk ka kaluar… Mirë është që ne të vijmë deri te ajo që ta ruajmë vetveten, që të mos kthehemi në pikën zero ose në mbyllje”, tha ai.

Në takimin me ministrin Latifi, Sogojeva tha se janë dakorduar që të mos ketë mbyllje totale.

“E mira e këtij takimi të djeshëm ka qenë që u dakorduam me propozimin e Odës, ku me vete e kisha edhe Afrim Muqiqin që është drejtor i Estradës, që në asnjë mënyrë mbyllja nuk vjen në shprehje. Do të bëjmë çmos edhe Ministria edhe ne si përfaqësues që mbyllje më të mos ketë. Lus edhe njëherë që t’i respektojmë këto masa që i kemi edhe kërkesa e dytë kërkesa ime personale si kryetar i Odës Hotelerisë dhe Turizmit është vaksinohuni, merrne edhe vaksinën e tretë sepse  sipas të dhënave i kemi vetëm 5 për qind të popullatës deri tani e kanë marr vaksinën e tretë”, tha ai.

Sogojeva u shpreh do të ketë takime  çdo dy javë me ministrin e Shëndetësisë dhe çdo vendim që do të merret, do të jetë i përbashkët.

“Ne dje u dakorduam që tash me pasë takime dyjavore, do të thotë me 31 mars prapë e kemi takimin dhe do të jenë takime të rregullta. U dakorduam të gjithë dhe nëse vazhdojmë në këtë mënyrë është një e mirë për arsye se çfarë do vendimi që të vjen, ka me qenë i përbashkët. Jo vendim i njëanshëm se vendimet e njëanshme pastaj po sjellin probleme, revolta e reagime”, raporton EO.

Të ngjashme