Oda Ekonomike Amerikane organizon trajnim rreth rekrutimit dhe mbajtjes së talenteve

Prishtinë | 17 Qer 2020 | 13:39 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi trajnimin virtual rreth rekrutimit dhe mbajtjes së talenteve, i cili u zhvillua nga Greta Kamberi, Specialiste e Rekrutimit të Talenteve në Gjirafa. Në këtë trajnim u diskutua rreth strategjive të rekrutimit, menaxhimit dhe promovimit të stafit si dhe rreth rëndësisë së punësimit dhe mbajtjes së personave të talentuar dhe të kualifikuar në mënyrë që të sigurohet zhvillimi dhe rritja e vlerave të kompanisë.

Gjatë këtij trajnimi Kamberi theksoi rëndësinë e rekrutimit të talentëve të rinjë sidomos në kohën pas lirimit të masave kufizuese kundër pandemisë COVID-19 dhe rikthimit në normalitet. Sipas saj, procedurat e rekrutimit janë të ndryshme duke u bazuar në kulturat respektive të kompanive, ndërsa rekrutimi është një proces që i nënshtrohet ndryshimeve konstante dhe rrjedhimisht duhet të përshtatet me metodat e trendeve të fundit siç janë promovimi i vendeve të lira të punës në rrjete të ndryshme sociale, panaire të punësimit, apo duke krijuar memorandume të bashkëpunimit me universitete.

Specialistja e rekrutimit theksoi se pjesë e rëndësishme e strategjisë së rekrutimit është edhe formulimi i saktë i përshkrimit të punës për të cilën hapet konkursi, në mënyrë që kandidatët potencial të jenë të mirë-informuar rreth detyrave dhe përgjegjësive të punës para aplikimit. Mes të tjerash, Kamberi theksoi edhe rëndësinë e brendimit të kompanisë, ku konsideroi se imazhi i kompanisë është kyç në tërheqjen apo mbajtjen e talentëve meqë fuqia e kualifikuar punëtore vazhdimisht është e kërkuar.

Ndërsa, në këtë trajnim bashkë me anëtarët pjesëmarrës të Odës Amerikane u diskutua edhe mbi rolin e personalitetit të punëtorit në sjellje organizative, llojllojshmërinë e metodave të kompanive për rekrutim dhe mbajtje të talentëve si dhe fazat e ndryshme të rekrutimit.

Të ngjashme