Oda Tregtare Kosovare-Turke premton krijim të vendeve të punës për kosovarët

Prishtinë | 25 Sht 2018 | 18:50 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Tregtare Kosovare-Turke do ta ndihmojë Kosovën në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të punës.

Kështu u tha në shënimin e 10-vjetorit të OTKT-së ku paraprakisht është zgjedhur edhe kryetari dhe bordi i ri i kësaj ode tregtare.

Gjatë ceremonisë së Odës Tregtare Kosovare-Turke organizuar për 10-vjetorin e themelimit, kryetari i ri i kësaj ode, Abdurrahman Balkiz, tha se brenga më e madhe është ikja e fuqisë punëtore nga Kosova, pas liberalizimit të vizave, raporton Ekonomia Online.

“Shumë afër do të ndodhë liberalizimi i vizave dhe brenga jonë më e madhe është ikja e fuqisë së kualifikuar nga ky vend”.

Ai premtoi angazhim për të ofruar kushte më të mira të punësimit për kosovarët.

“Ne si odë tregtare gjatë këtij mandati do të angazhohemi të ofrojmë kushte më të mira të punësimit. Një dimension tjetër i misionit tonë është që krahas bashkëpunimit dhe integrimit në organizata të ndryshme të punojmë në zhvillimin rajonal. Këtë nuk mund ta bëjmë vetë. Ne shpresojmë që edhe në të ardhmen do të vazhdojë edhe përkrahja e ambasadës por edhe institucioneve kosovare”.

Përmes odës tregtare, Kosova dhe Turqia do ta intensifikojnë bashkëpunimin, tha ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilicim Kilic, raporton EO.

“Sot me krenari e shënojmë 10-vjetorin e Odës Ekonomike Kosovare-Turke, e cila ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të dy vendeve dhe në krijimin e vendeve të punës.

“Ne si Turqi mbështesim Kosovën në zhvillimin e saj ekonomik në të gjitha fushat. Ne bëjmë përpjekje që të jemi pranë popullit të Kosovës dhe angazhohemi që kosovarët të kenë një jetë më të mirë. Investimet në sektorin privat i konsiderojmë investime për të ardhmen e Kosovës”, u shpreh ajo.

Të ngjashme