Odat ekonomike pas takimit me Guvernatorin: Mbyllja e sërishme goditja e fundit për ekonominë

Prishtinë | 10 Nën 2020 | 14:11 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi dhe atë të Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka.

Në takim krerët e këtyre institucioneve kanë diskutuar për gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin sa më të lehtë të situatës së krijuar pas rritjes së sërishme të rasteve të reja me Covid-19 dhe pas masave të ndërmarra nga institucionet.

Kreu i OEK-ut, Berat Rukiqi në një intervistë për Ekonomia Online, pas takimit  tha se në takim kanë ndarë shqetësimin e përbashkët që çdo mbyllje e re për ekonominë do të dërgonte vendin me pasoja të riparueshme.

Mirëpo fokusi kryesor sipas Rukiqit është të shpenzimet operative të kompanive para së gjithash pagat për punëtorët dhe pjesa që lidhet me qiratë.

 “Ne mbajmë konsulta të rregullta me Bankën Qendrore, e sidomos gjatë pandemisë kemi pasur një komunikim intensiv që edhe të iu gjejmë mënyra bizneseve për t’i përkrahur në kuptim të lehtësimit të qasjes në financa apo riprogramim të kredive. Dhe tani jemi takuar për të ndarë shqetësimin e përbashkët që çdo mbyllje e re për ekonominë e vendit është me pasoja të riparueshme”.

Kryetari i OEK-ut, shtoi se zgjidhjen e vetme është veprimi qeveritar për kontrollim të pandemisë me masa adekuate të cilat nuk e bllokojnë ekonominë e vendit.

“Zgjidhja është veprimi qeveritar për kontrollim të pandemisë me masa adekuate të cilat nuk e bllokojnë ekonominë e vendit por edhe me kapacitete që mundësojnë për tu mbikëqyrur masat të mos shkohet me ndëshkime kolektive të sektorëve po të shkohet me veprime aty ku ka shkelje të masave. Pra të mos pësojë biznesi si pasojë e mos kapaciteti të shtetit për të mbikëqyrur implementimin e masave. Edhe nëse ka mbyllje diku apo kufizim të përcillet me masa financiare. Po fokusi gjithmonë është të shpenzimet operative të kompanive para së gjithash pagat për punëtorët dhe kjo pjesa që lidhet me qiratë dhe shpenzime të tjera operative”.

Ndërsa, kryetarin i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka, i tha Ekonomia Online se vendosja e masave të reja do të do të ishte goditje për ndërmarrjet e sektorit privat.

Ai tha se kanë dërguar shkresë kryeministrit, Avdullah  Hoti duke kërkuar se çfarëdo mase që merret në koordinim me përfaqësuesit e sektorit privat të përcillet edhe me përkrahje financiare.

“Tema e takimit të sotëm me Guvernatorin e Bankës Qendrore Fehmi Mehmeti dhe kryetarin e Odës Ekonomike Berat Rukiqin ishte një shqetësim i përbashkët lidhur me paralajmërimin për vendosjen e masave të reja për kufizimin e aktiviteteve ekonomike”.

“Të gjithë njëzëri mendojmë që vendosja e masave të reja rrjedhimisht do të kishte ndikim edhe më të madh në ndërmarrjet e sektorit privat dhe në ekonomi dhe do të ishte një vazhdim i goditjes që ky sektor, ndërmarrjet në përgjithësi që kanë pësuar nga pandemia. Kështu që edhe përkrahja nuk ka qenë proporcionale në dëmin që është shkaktuar por edhe që ka qenë e vonuar”.

Sipas tij, zgjidhja për të dalë nga kriza do të ishte respektimi i kërkesave parësore të IKShPK, mbajtja e distancës dhe vënia e maskës.

“Ne si Odë Amerikane dhe Odë Ekonomike kemi dërguar shkresë të kryeministri dhe kemi kërkuar se çfarëdo mase të merret në koordinim me përfaqësuesit e sektorit privat të përcillet edhe me përkrahje financiare. Zgjidhja për të dalë nga kriza do të ishte respektimi i kërkesave parësore të IKShPK, mbajtja e distancës dhe vënia e maskës me qëllim të mos përhapjes së pandemisë”.

“Edhe ne e mbështesim idenë e një mbikëqyrje më të rreptë sa i përket masave, por megjithatë aplikimi i bllokadës së re të gjithë sektorëve do t’i jepte goditjen përfundimtare”.

Të ngjashme