OEAK: Kompletimi i infrastrukturës i nevojshëm për zhvillimin e bizneseve të Drenasit

Prishtinë | 14 Shk 2019 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Kompletimi i infrastrukturës, krijimi i politikave favorizuese për bizneset, si dhe ulja e nivelit të burokracisë në nivel komunal rrit efikasitetin dhe mundëson për zhvillim të bizneseve operuese në Drenas.

Kjo u tha në takimin e organizuar me Kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Agjencionin për Zhvillim Rajonal Qendër. 

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në fjalën e tij hapëse theksoi se thellimi i bashkëpunimit në mes të sektorit privat dhe institucionit të cilin ai e udhëheq reflekton në rritje të efikasitetit dhe alokim më të mirë të buxhetit të Komunës.

Duke potencuar se mbetet i zotuar për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e bizneseve Lladrovci, vuri theksin mbi disa nga investimet kapitale infrastrukturore të parapara në Komunën e Drenasit si në fushën e stabilitetit energjitik, e poashtu edhe në atë rrugore, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave.

Poashtu, ai tha se Komuna e Drenasit është në fazë të hartimit të planit zhvillimor dhe urbanistik në mënyrë që të mundësohet planifikim më i mirë hapsinor. 

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se njoftimi i vazhdueshëm i bizneseve mbi projektet e Komunës, në të cilat njëra palë është drejtëpërsëdrejti e ndikuar ndërsa tjetra luan rol kyç në orientimin ekonomik përmes hartimit të politikave, është e domosdoshme për themelimin e strukturave të dialogut ndër-sektorial, e cila pastaj përkthehet dhe në zhvillim më të hovshëm të sektorit privat dhe të hyra më të larta për Komunën.

Ndër të tjera, Zeka gjithashtu theksoi se iniciativa e Komunës së Drenasit për kompletimin e infrastrukturës i shërben një kauze e cila ndër vite e ka vështirësuar zgjerimin e kompanive operuese në Komunën e Drenasit.  
Drejtoresha Ekzekutive e Agjencionit për Zhvillim Rajonal Qendër, Mrika Macula, potencoi se qasja e Komunës së Drenasit për hapjen e të dhënave në lidhje me trajtimin e çështjeve të biznesit ndër të tjera, ka rezultuar dhe në vlerësimin e kësaj Komune si ajo më transparente në Kosovë.

Përveç kësaj, Macula theksoi se Komuna e Drenasit ka arritur që të zvogëlojë numrin e procedurave burokratike gjë e cila lehtëson barrën administrative për biznese.  Kryesuesi i Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane, Kujtim Gjevori, duke vlerësuar nivelin e ulët të burokracisë në Komunën e Drenasit, përmendi nevojën për ofrimin e mundësive për zhvillimin e mëtutjeshëm të bizneseve të cilat janë të angazhuara në veprimtari stimuluese, përkatësisht në sektorin e prodhimit, i cili gjithashtu paraqet sektorin me hapësirën më të madhe për krijimin e vendeve të reja të punës.

Ai theksoi se disa nga kompanitë e këtij sektori të cilat operojnë në pronat e dhëna në shfrytëzim nga Komuna e kanë të pamundur marrjen e kredive të cilat do të rezultonin në zgjerim të tyre, pasi që nuk bëhet një ndarje nga kapitali i investuar dhe vlera e tokës së dhënë në shfrytëzim. Gjevori gjithashtu theksoi nevojën për inkuadrimin e sektorit privat në hartimin e planit zhvillimor dhe urbanistik të Komunës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme