OEK dhe “The Heritage Foundation” diskutojnë për promovimin e ekonomisë së Kosovës në botë

Prishtinë | 17 Kor 2018 | 15:06 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur takim me delegacionin e organizatës prestigjioze në ShBA “The Heritage Foundation”, e cila ndikon politikat publike përmes hulumtimeve të bëra. Ky fondacion publikon çdo vit indeksin për liri ekonomike në gazetën prestigjioze amerikane “Wall Street Journal”, pjesë e të cilit është dhe Kosova.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, tha se kjo organizatë është në mesin e më prestigjiozeve në ShBA me orientim pro ekonomisë së tregut, raporton Ekonomia Online.

“Mbajtëm takim për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit, sidomos të ripozicionimit të Kosovës në hartën globale ekonomike dhe një bashkëpunimi intensiv, sidomos me institucionet amerikane, organizatat e shoqërisë civile në Amerikë që ndihmojnë liritë ekonomike dhe ndihmojnë në përmirësimin e imazhit të Kosovës”.

Rukiqi shtoi se “The Heritage Foundation” bashkë me pjesëmarrësit që sot ishin në takim dhe me një ekip të ekspertëve, ka arritur të fusë Kosovën në këtë indeksin e lirisë ekonomike i cili botohet, ndahet me të gjitha vendet e botës.

“Këtë vit po diskutojmë për mundësinë që të kemi aktivitete që nuk janë të njëhershme ose me karakter lokal, por të kemi aktivitete me karakter global që e promovojnë ekonominë e Kosovës, e promovojnë atë për të cilën njihet Kosova, një ndërmarrësi dinamike dhe në të njëjtën kohë t’i grumbullojmë potencialet për shkak se në shumë raste Kosova nuk e ka imazhin më të mirë ose së paku ka shumë percepcion negativ, por pastaj ardhja e shumë delegacioneve dhe investitorëve këtu ka dëshmuar të kundërtën”.

Rukiqi deklaroi se ky fondacion mund të ketë rol substancial në promovimin ndërmarrësinë e Kosovës duke ditur se ka ndikim në politikën amerikane dhe në shumë vende të botës, përfshirë edhe ato që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Në këtë drejtim mendoj që ‘The Heritage Foundation’ mund të ketë një rol shumë substancial duke ditur se këta kanë jo vetëm influencë në politikën amerikane, mirëpo kanë prezencë globale në shumë vende tjera, edhe që nuk na kanë njohur, por edhe shumë vende të tjera që mund të jenë potencial për investime në Kosovë”.

Anthony Kim, menaxher i hulumtimeve dhe autor i publikimit “Indeksi i Lirisë Ekonomike”, tha se ka ardhur koha që Kosova të fillojë t’i bëjë gjërat për të cilat flet, raporton EO.

“’Kemi kënaqësinë të shohim këtë progres të madh që po e bën Kosova. Kosova e ka kohën që të fillojë t’i bëjë gjërat realitet dhe jo vetëm të flas për to. Bashkë me James Carafano  dhe kryetarin Rukiqi patëm një diskutim të jashtëzakonshëm me shumë ide produktive dhe shpresojmë që do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë produktiv në të ardhmen. Presim që të vijmë sërish në Prishtinë”.

Pjesë e takimit të sotëm nga ky fondacion ishte dhe James Carafano, zëvendëspresident dhe udhëheqës për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme.

Të ngjashme