OEK kundërshton lejimin e importit të veturave të vjetra

Prishtinë | 03 Kor 2018 | 09:52 | Nga

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) përmes një komunikate për media ka kundërshtuar lejimin e importit të veturave të vjetra.

Sipas OEK përderisa në Evropë dhe vende të zhvilluara bëhet “luftë” dhe hartim i strategjive për të ndaluar tërësisht lëvizjen e veturave nëpër qendra të mëdha, në Kosovë ndodh e kundërta ku krahas kaosit ambiental që mbretëron kërkohet që vendi të shndërrohet në deponi të mbeturinave.

“Me shqetësim jemi duke përcjellë disa deklarata dhe kërkesa të deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës që kërkojnë heqjen e kufizimeve për import të veturave më të vjetra se 10 vite”.

“Paradoksi qëndron në faktin që derisa në Evropë dhe vende të zhvilluara bëhet “luftë” dhe hartim i strategjive për të ndaluar tërësisht lëvizjen e veturave nëpër qendra të mëdha dhe në veçanti ndalimin e veturave diesel, në Kosovë ndodh e kundërta ku krahas kaosit ambiental që mbretëron, nga deputetet kosovar kërkohet që Kosova të shndërrohet në deponi të mbeturinave pa pasur parasysh faktin e dëmit që u shkaktohet  qytetarëve, por edhe sigurisë në komunikacion ku jemi dëshmitarë që po thejmë rekorde të aksidenteve, madje edhe me fatalitet e një ndër arsyet është edhe mos siguria në rrugë dhe vjetërsia e veturave”.

“Prandaj, bazuar në këta parametra ekzistues dhe krahasuar me ata ndërkombëtar gjithnjë duke mbrojtur ambientin dhe jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, rekomandojmë dhe besojmë fuqishëm se ligji 05/L-132 nuk do të ndryshojë sepse efektet negative do të jenë të shumëfishta”.

“Lirimi i dioksidit të azotit (NO2), në veçanti nga makinat e vjetra me naftë është shndërruar në një sfidë me përmasa botërore dhe thirrjet e organizatave botërore të ndryshme për ta ndaluar janë të shumta. Derisa në Kosovë flitet për harmonizim të ligjeve me acquis communautaire është për habi një kërkesë e tillë nga deputetet e Parlamentit të Kosovës dhe atë në emër të popullit”.

“Implikimet buxhetore kanë qenë evidente në buxhetin e të hyrave të vitit të kaluar nga ndalja e importit të veturave të vjetra, por duhet të kemi performancë më të madhe në luftë kundër informalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar nga të gjithë akterët relevant me qëllim të mbulimit të këtij vakumi buxhetor e jo shëndeti i qytetarit dhe siguria në rrugë të jenë instrument për arritjen e objektivave buxhetore”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme