OEK lanson platformën online për hartimin e biznes planeve, synon lehtësimin e të bërit biznes

Prishtinë | 22 Nën 2017 | 14:30 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe kompania GEOtest, nga Çekia kanë lansuar platformën online për hartimin e biznes planeve.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të aktivitetit “Asistencë në krijimin e planeve të biznesit për Ndërrmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

OEK përmes kësaj platforme synon lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë, ngase një pjesë e madhe e kompanive Kosovare nuk kanë të zhvilluar plan të biznesit çka edhe ndikon në uljen e konkurrueshmërisë së tyre dhe njëherë rritjen e vështirësive për qasje në financa.

Ambasadori çek në Kosovë, Virezslav Pur, tha se projekti është 30 milionë euro dhe ka për qëllim që asistenca e eksperteve çek të jetë në funksion të zhvillimit të NVM-ve.

“Ky projekt është i fokusuar në biznese dhe është i fokusuar që të ketë mundësi të bëhet tregtia dhe liberalizimi i tregtisë dhe integrimi më i mirë në sistemin ndërkombëtar të tregëstisë. Programi ka për fokus ndërtimin e kapaciteteve të NVM-ve”.

“Në këtë mënyrë palët marrin ekspertët dhe përvojën e jonë dhe ato pajisjet se si duhet të përdorën. Kosova ka aplikuar për këtë projekt dhe duhet ta përmbush obligimin e vet dhe procedura e selektimit është nga MTI dhe në 2018 bëhet mbyllja e këtij projekti dhe mund të arrihet edhe për 2019”.

Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK, tha ky projekt është i një rëndësie të veçantë pasi sipas tij, biznes plani është çelësi i absorbimit të mjeteve nga Bashkimi Evropian (BE).

“Ky është një partneritet që ka një rëndësi shumë dimensionale, në aspektin ekonomik është një partneritet i cili do të gjeneroj diçka që është shumë e rëndësishme për sektorin privat në veçanti për NMV-të dhe po e forcojmë një mekanizëm që është çelësi i suksesit për të absorbuar mjetet coftë nga Bashkimi Evropian, qoftë nga donatorët sepse mekanizmi kyç i absorbimit është biznes plani dhe besoj që një faqe e tillë e dizajnuar dhe e përgatitur me standarde dhe kritere evropiane është e një rëndësie të pakontestueshme”.

“Nga dimensioni integrues është një dëshmi që krahas integrimit politik që është tagret institucional jemi duke kërkuar integrimin ekonomik që të avancojmë internacionalizimin e ndërmarrësisë kosovare, që të bartim përvojat nga vendet e zhvilluara në veçanti nga vendet që e kanë kaluar tranzicionin. Besoj që në këtë drejtim bashkëpunimi dhe përvoja e Çekisë është e mirëseardhur. Në aspektin social është me rëndësi që zbatimi i këtyre biznes-planeve të jetë mekanizëm i forcimit të sektorit privat, krijimit të vendeve të reja të punës”.

Në shenjë mirënjohje për besimin e treguar nga ambasada e Çekisë dhe partneritetit të ndërsjellë kryetari i OEK dhuroi për ta nga një hartë të Kosovës, raporton EO.

Të ngjashme