OEK: Pas taksës ndaj Serbisë, po ndihet mungesa e grurit dhe hekurit

Prishtinë | 01 Dhj 2018 | 14:15 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën ka prezantuar raportin e tre mujorit të tretë për klimën e biznesit.

Ai tha se ky tremujor është më i suksesshëm sa i përket fushës së biznesit për shkak të fluksit të diasporës në Kosovë, ndërsa përmendi edhe disa nga problemet që po u shkaktohen kompanive biznesore nga Serbia.

“I kemi të dhënat e tre mujorit të tretë, korrik gusht shtator. Është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse rritet aktiviteti ekonomik dhe biznesor duke e ditë fluksin e diasporës. Sa i përket këtij tre mujori, 447 kompani janë intervistuar nga ndërtimtaria, shërbimet… Në përgjithësi ato e vlerësojnë gjendjen si të kënaqshme. Nëse e shohim bilancin, kemi rritje të kënaqshme dhe normalisht edhe kjo pastaj korrespondon me pritjet tona. Të dhënat që vijnë nga ky tre mujori janë shumë më pozitive për shkak të fluksit të diasporës në vend”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Rukiqi tha se tash për tash, pas vendosjes së taksës ndaj Serbisë, problem është gruri dhe çeliku(hekuri).

“Dy problemet janë kryesore, dy produkte, gruri për shkak të çmimeve më të shtrenjta dhe është çeliku. Çeliku ka mundësi nga Shqipëria të importohet por nuk është cilësia. Ka komunikim me Kroacinë, Turqinë, Hungarinë për importin e grurit. Çka po bëjmë është t’i pajisim vozitësit tanë me viza dhe leje. Nuk është problem muaji dhjetor por nëse nuk reagohet shpejtë mund të ketë mangësi sasie”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe barrierat në të cilat hasin gjatë të bërit biznes.

“Kur jemi te barrierat e të bërit biznes, konkurrenca joreale dhe ekonomia joformale janë barriera që po na përsëriten. Pas këtyre vjen mungesa e mjeteve financiare e të bërit biznes”, tha Rukiqi.

Ai ka treguar edhe për problemet me të cilat po përballen kompanitë vendore, e që këto probleme ua shkakton Serbia.

“Kemi pasur shumë pyetje se a i ka ditë CEFTA dhe kompania problemet. Unë e kam një dokument, ku barrierat janë të dokumentuara. I kemi marrë rastet më tipike, si rasti i ELKOS-it, që asnjëherë nuk ka mundur me bë tranzit me Serbinë, që është dashtë me bë tranzit me vendet tjera, që ato produkte i bënë jo konkurruese. Kjo ka ndodhur për shkak se nuk është lejuar tranziti me Serbinë”, tha ai.

“Infrastruktura më e duhur për tranzit është Serbia dhe është dashtë me gjet rrugë tjera, që janë më të kushtueshme edhe në financa, por edhe më të kushtueshme në kohë. Kompania “Frutex” është përballë me këto. Kemi pas probleme. Alpsko, që është kompani sllovene në tranzitin e vet i është kërkuar për shkak se nuk ia kanë lejuar vulat, që e lejojnë futjen e produkteve në Kosovë, iu është kërkuar vazhdimisht leje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nga Serbia”.

Rukiqi ka thënë se në shumicën e këtyre problemeve me të cilat janë përballur, CEFTA nuk ka dhënë përgjigje.

“Rasti i kompanive të transportit, asnjëherë nuk kanë mund t’i ngarkojnë kamionët në Serbi. Rastet tjera të miellit, shpesh herë kanë ardhë me çmime të tjera. Në pamundësi me i vendos CEFTA këto, Kosova ka vendosë taksa mbrojtëse. Rastet më eklatante, janë kur në deklaracionin e mallrave, gjithmonë i është kërkuar, që në certifikata të mallrave, të shkruhet si import nga krahina autonome e “Kosovës dhe Metohisë”. Në shumicën prej tyre as nuk ka dhënë përgjigje CEFTA”, tha Rukiqi.

Kryetari i OEK-ut, ka thënë se panairi i Agrobiznesit do të hapet të hënën, në të cilin me shumicë do të ketë përfaqësim nga bizneset e Kosovës.

“Sa i përket panairit, janë 40 kompani dhe 38 prej tyre janë të Kosovës, që është kthesë e madhe në kthimin e prodhimit tonë. Është një natyrë tjetër e panairit dhe do shihet potenciali i kompanive”, tha ai, raporton EO.

Të ngjashme