OSHP-ja jofunksionale/ Mbi 800 tenderë në vlerë prej 200 milionë € janë bllokuar

Prishtinë | 25 Nën 2021 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Nga janari i këtij viti e deri më 24 nëntor mbi 800 tenderë në vlerë gati rreth 200 milionë euro janë bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Shkak për këtë grumbullim kaq të madh të ankesave është mosfunksionalizimi i bordit të këtij institucioni, tash e tetë muaj.

E numri i tyre mund të rritet edhe më shumë, ditëve në vijim.

Kjo meqë gjatë seancës të së mërkurës, ani se u hodhën për votim, emrat e anëtarëve të rinj për bordin e Gjykatës së Tenderëve nuk morën votat e nevojshme.

Votat e 52 deputetëve ishin të pamjaftueshme për të zgjedh Ardian Behren – kryetar të bordit e Hasim Krasniqin, Faruk Rexhen, Adem Spahiun dhe Ruzhdi Morinën – anëtarë të tij.

Situata e krijuar po kritikohet nga disa kryetarë komunash.

Smajl Latifi, që udhëheq me Rahovecin, thotë se vonesat e Qeverisë për kompletimin e bordit të OSHP-së janë të paarsyeshme.

Të njëjtat, sipas tij, ia kanë zvarritur realizimin e dy projekteve komunale, për të cilat ka pasur ankesa aty.

“Ankesat kurdo me i shqyrtu, kurdo me marr vendime. Nëse pyetem unë kisha bërë ndryshime të mëdha ligjore, kisha përcaktua afata më të qarta që nuk do të shkaktonin vonesa në dhënien e përgjigjes. Po vonohen projektet. Qeveria është vonu shumë. Janë të paarsyeshme sa muaj mos me pasë bord”, u shpreh Latifi.

Kritika ka edhe kryekomunari tjetër, veçse i Obiliqit, Xhafer Gashi.

Krahas vonesave në implementimin e projekteve, ai përmend edhe një telashe që po iu bëhet si komunë shkaku i mostrajtimit të lëndëve në OSHP.

“Humbja e buxhetit. Po e pengon me u implementu projektet”, theksoi ai.

Andaj ky ka një sugjerim për Qeverinë.

“Me hjek komplet OSHP-në. Ato lëndë që janë kontestuese le të vazhdojnë nëpër Gjykata të trajtohen”, theksoi ai.

Nuk është hera e parë që Gjykata e Tenderëve jetë pa bord.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2016 dhe në vitet 2013/14.

Bllokada 7 muajshe ishte bërë shkak i grumbullimit të një numri të madh ankesash.

Si ato të 2016-s si ato të 2013/14-s nuk u trajtuan fare nga bordet që erdhën, ani se kishte tenderë që ishin nënshkruar jashtëligjshëm.

Front Online ka raportuar për tenderë kur komunat nuk e kanë pritur fare shqyrtimin e tenderit nga ana e OSHP-së.

Ajo e Gjakovës kishte nënshkruar një të tillë në vlerë 4 milionë euro, pavarësisht se eksperti i OSHP-së i kishte kërkuar që ta rikthejë në rivlerësim shkaku i disa shkeljeve. (Front Online)

Të ngjashme