Pakoja Emergjente, Qeveria e “harron” një medium pa e paguar

Prishtinë | 29 Maj 2020 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Paratë nga Pakoja Emergjente ende nuk u janë shpërndarë të gjitha kompanive mediale. Një medium duket se është harruar nga Qeveria. Në Asociacionin e Gazetarëve thonë se kanë kërkuar informacione në Ministrinë e Financave për këtë çështje, por se nuk po iu përgjigjen. Gazeta Express ka kontaktuar edhe me MFT’në, por ata po e hedhin përgjegjësinë të Administrata Tatimore.

Një portal ende nuk e ka marrë asnjë cent nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Pakoja Emergjente e aprovuar për shkak të pandemisë. Bëhet fjalë për Reporteri.net.

Drejtori i këtij portali, Bekim Kabashi ka njoftuar para tri ditësh se ende nuk i kanë mjetet në xhirollogari.

“Në anën tjetër, Qeveria ka refuzuar deri më tani që gazetarët e Reporteri.net, t’i mbështesë përmes pakos së saj emergjente të pandemisë. Megjithatë, kjo qasje e tentim pengimit të medias është e gabuar, sepse tendenca për dekurajim, jep rezultate të kundërta, nxitë motivim”, ka shkruar Kabashi.

Për arsyet se pse kjo kompani nuk i ka pranuar ende mjetet ka kërkuar informacione edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por pa sukses.

Kryetarja e Bordit të AGK’së, Gentiana Begolli Pustina i ka thënë Gazetës Express se i janë drejtuar MFT’së dy herë gjatë këtij muaji për të marrë informacione rreth kësaj çështje, por se nuk janë përgjigjur.

“Lidhur me kompanitë mediale që nuk i kanë pranuar ende mjetet nga Pakoja Emergjente, më 7 dhe 19 maj, kemi dërguar e-mail në Ministrinë e Financave dhe Transfereve si dhe i kemi telefonuar disa herë për të marr më shumë informata rreth çështjes në fjalë. Deri më tani, nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje. Në momentin që do të kemi më shumë informaione, do t’i ndajmë ato me ju dhe mediumet tjera”, thuhet në përgjigjet e Begollit drejtuar Gazetës Express.

E për atë se sa është numri i kompanive mediale që ende s’i kanë pranuar këto pagesa dhe i bizneseve në përgjithësi, Express ka kërkuar informacione nga Ministria e Financave.

Në këtë institucion kanë kërkuar që pyetjet t’i përcillen Administratës Tatimore të Kosovës.

“Të nderuar, ju lutem që këto pyetje ti drejtoni në ATK sepse të gjitha bizneset kërkesat i dërgojnë ne ATK, ku edhe komisioni për pranimin dhe verifikimin e këtyre kërkesave është me ATK”, thuhet në përgjigjet e zëdhënësit të MF’së, Muharrem Shahinit.

Ndërkohë në ATK kanë thënë se komisioni i raporton MFT’së dhe kanë kërkuar që pyetjet t’i përcillen sërish Ministrisë.

“Ashtu siç biseduam edhe përmes telefonit, lidhur me verifikimin e aplikimeve për perfitim nga pako emergjente, Ministri i Financave dhe Transfereve ka formuar një komision i cili i edhe i raporton MFT.

Vec kesaj, MFT lidhur me marrjen e ketyre informatave ditë më parë ka hapur edhe linjën telefonike për t’ju mundësuar të interesuarve të marrin informacione të kësaj natyre, siç e keni bërë edhe ju”, thuhet në përgjigjet e ATK’së.

Të ngjashme