Palmer dhe Scott bëjnë thirrje që taksa 100 % të hiqet

Prishtinë | 05 Dhj 2018 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit Amerikan, Matthew Palmer, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës derisa u kërkoi autoriteteve të Kosovës të heqin taksën 100 % mbi mallrat nga Serbia, sepse kjo, sipas tij, është një pengesë për dialogun.

Palmer për mediat boshnjake ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, që do të hapte rrugën e Kosovës dhe Serbisë për në BE, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Kjo do të kontribuonte në gjendjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Një marrëveshje e tillë do të promovonte stabilitet dhe paqe ne gjithë rajonin”, ka thënë zyrtari amerikan.

Palmer ka kërkuar nga autoritetet kosovare që ta heqin taksën 100 % në mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë këtë masë si një pengesë për vazhdimin e dialogut.

Synimi i Rusisë për të minuar aspiratat e vendeve të regjionit është cilësuar si një synim destabilizues, duke gjykuar se është e dëmshme për paqen dhe stabilitetin rajonal.

“SHBA-të nuk i imponojnë vendeve të Ballkanit Perëndimor se çfarë duhet të bëjnë por vizioni ynë i Ballkanit është shumë më afër asaj çfarë këto vende kanë zgjedhur vet. Ambiciet e vendeve për anëtarësim në BE dhe NATO janë drejtues të fuqishëm për ndryshim”, ka thënë Palmer.

“Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të ndryshojë, sepse është një politikë e vazhdueshme që ambasadorët e aplikojnë në disa vende, pavarësisht ndryshimit të administratës”, shtoi ai.

Për taksën 100 % të vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka reaguar sërish ambasadori i Serbisë në Beograd, Kyle Scott.

“Taksa e vënë nga Kosova jo vetëm që dëmton konsumatorët dhe bizneset, por gjithashtu mbyll edhe derën e dialogut. Ne nuk duhet ta humbasim mundësinë për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, ka shkruar ai në Twitter.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme