Pandemia preku edhe sistemin bankar, u ulën fitimet dhe kërkesat për kredi nga qytetarët

Prishtinë | 30 Gus 2020 | 11:22 | Nga Përparim Bublaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kriza që ka shkaktuar pandemia COVID-19, ka prekur edhe sistemin bankar të Kosovës. Si rrjedhojë e krizës, bankat kanë shënuar më pak fitime në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në krahasim më periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Po ashtu edhe numri i kërkesave për kredi nga qytetarët ka qenë më i ulët sidomos gjatë  muajve të mbylljes totale. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, anëtari i bordit udhëheqës të bankës “Nlb Prishtina”, Gem Maloku.

Për kundër krizës, ai ka bërë të ditur se sistemi bankar i Kosovës, është i qëndrueshëm.

“Gjithsesi edhe bankat janë prekur nga pandemia duke folur me numra real. Fitimet nuk janë të njëjta me 6 mujorin e vitit të kaluar, përjashtimisht mund të jenë në ndonjë nga institucionet financiare që ka pas ndonjë situatë të jashtëzakonshme apo lëvizje në zërat të bilancit të suksesit të tyre. Por në përgjithësi si sistem bankar jemi prekur nga pandemia dhe të hyrat e gjashtë mujorit të parë nuk janë të njëjta me gjashtë mujorin e vitit të kaluar”, ka thënë Maloku.

Sa i përket tejkalimit të krizës ekonomike, ai ka vlerësuar se sistemi bankar duhet të shfrytëzohet si nxitës i rritjes ekonomike duke përfshirë edhe rrjedhën e remitencave nga diaspora përmes sistemit bankar, për të cilat thotë se gjatë kohës së pandemisë është rritur numri i tyre që kanë ardhur në Kosovë, përmes bankave.

“Sistemi bankar duhet të shfrytëzohet  si nxitës për rritje ekonomike, dhe mendoj se rol të veçantë do të duhet të luaj paketa për stimulimin ekonomik që do të vije nga Qeveria e Kosovës. Kjo do të duhej të shihej nga këndvështrimin që shumica e mjeteve që do të kalon në ekonominë e Kosovës do duhej të kanalizohej në sistemin bankar. Rrjedha e remitencave  nga Diaspora do të luaj rol të rëndësishëm ku gjatë kësaj kohe ka pasur rritje të remitencave përmes sistemit bankar”, ka thënë ai

E përderisa remitencat nga Diaspora në këtë periudhë kanë shënuar rritje, numri i qytetarëve të Kosovës që i janë drejtuar bankave për të marr kredi ka pësuar rënie. Për Malokun kjo ka qenë e kuptueshme sidomos në muajt e mbylljes totale.

Ndonëse pas hapjes së ekonomisë ai thotë se ka numër më të madh të qytetarëve që aplikojnë për kredi, por që ato nuk janë të planifikuara për zhvillime afatgjate.

 “Normalisht kërkesat kreditore gjatë kësaj periudhe nuk janë të koncentruar në aspektin e zhvillimeve afatgjate për shkak të pasigurisë se çfarë do të ndodh me pandeminë dhe si do të ndikojë ajo në ekonominë e vendit dhe në të njëjtën kohë se çfarë forme do të ketë rimëkëmbja. Duke pasur pasigurinë për zhvillimet e mëtutjeshme ekonomike kemi reflektim edhe për kërkesat për kredi, që do të thotë se nuk është kërkesa e njëjtë për kredi si para pandemisë, apo adoptimit në një realitet të ri ku po bashkëjetojmë me një realitet të ri”, ka thënë ai.

Ndonëse, të përballur me një situatë të re atë me pandeminë, Maloku, ka thënë se sistemi bankar i Kosovës i është gjetur afër qytetarëve në tejkalimin e krizës, ku është mundësuar shtyrja e kthimit të kredive.

E për interesin që paguajnë qytetarët në bankat e Kosovës, ata që marrin kredi shpesh herë janë ankuar për norma të larta.

Por, sipas Malokut, kjo më shumë ka të bëjë me një perceptim, pasi sipas tij, në Kosovë normat kanë shënuar ulje të madhe.

“ Normat e interesit vitet e fundit kanë pësuar rënieje drastike mund të themi nga numrat dy shifror të normave të interesit, kanë rënë në numra një shifrorë, bukur ulët njëshifrorë duke pasur parasysh aspektin e ekonomisë apo aspekteve ekonomike të cilat nuk kanë ndryshuar. Me këtë dua të themi se ambienti në vend apo ambienti i cili bëhet plasimi  i mjeteve nga bankat nuk  është se ka evoluar aq shume konform zvogëlimit të interesit që kanë bërë bankat”, është shprehur ai.

Të ngjashme