Pandemia rrit për trefish deficitin buxhetor

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 10:24 | Nga Ekonomia Online

Deficiti i buxhetit të Kosovës mund të arrijë në mbi 6 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) nga 2 për qind sa ka qenë e paraparë.

Kjo mungesë e parave në buxhet është si pasojë planeve për mbulimin e humbjeve të shkaktuara nga koronavirusi i ri.

Në numra i bie që buxheti i Kosovës ka qenë i mangët për 147 milionë euro, ndërkohë si pasojë e pandemisë tash i mungojnë 470 milionë euro. Buxheti total për këtë vit është 2.3 miliardë euro.

Mbulimin e humbjeve Qeveria e Kosovës planifikon ta bëjë përmes rritjes së borxhit.

Masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, kanë prekur ekonominë e Kosovës. Humbjet konsiderohen të mëdha dhe atë deri në 6 milionë euro në ditë, sipas parashikimeve të bëra nga institucionet e Kosovës.

Organizatat ekonomike në Kosovë në bazë të një hulumtimi kanë vënë në pah se mbi 60 për qind e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID-19 rrezikon mbijetesën e tyre.

Për këtë arsye nevojiten edhe ndryshime në buxhetin e Kosovës në procesin e rishikimit të tij, proces ky që gjithmonë ndodh në mes të vitit.

Qeveria thotë se deficiti do të arrijë në 6.5 për qind te BPV-së

Agim Krasniqi, nga Ministria e Financave dhe Transfereve në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se në rishikimin e buxhetit do kërkohet të pezullohet përkohësisht rregulli i deficitit buxhetor për 2 për qind dhe të arrijë në 6.5 për qind.

“Është kërkuar nga Komisioni për buxhet dhe financa i Kuvendit të Kosovës, që të ketë ndryshim në Ligjin për menaxhim të financave publike dhe përgjegjësive, në mënyrë që të lejohet rritja e deficitit buxhetor. Me këtë ne arrijmë që deri në fund të vitit të sigurojmë mbulimin e shpenzimeve të rregullta, mbulimin e Pakos Emergjente dhe krijojmë Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike. Sipas projeksioneve të buxhetit, deficiti buxhetor ka qenë rreth 2 për qind, kurse tashmë kërkohet të jetë 6.5 për qind”, tha Krasniqi.

Por, anëtarë të Komisionit për buxhet dhe financa konfirmojnë se një kërkesë e tillë është trajtuar në Komision, por që nuk ka marrë mbështetjen e Komisionit për shkak se, nuk ka detaje të mjaftueshme se për çka do të përdorën ato para.

Hekuran Murati, kryetar i këtij Komisioni, nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se kërkesa për kufirin e deficitit buxhetor është 6.5 për qind e Bruto Produktit Vendor apo 470 milionë euro.

“Një shumë e tillë nuk është arsyetuar, meqenëse kërkesa është shumë e lartë. Ligji parasheh që kufiri i deficitit të rritet vetëm për aq sa ka qenë ndikimi negativ në të hyra. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, ndikimi negativ në të hyra deri më tani ka qenë 125 milionë euro, pra është larg asaj që është pretenduar në 470 milionë euro”, thotë Murati për Radion Evropa e Lirë.

Ekonomia e Kosovës do të tkurret 5 për qind

Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se Kosova ka mundësi në të ardhmen të mbulojë deficitin buxhetor.

Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria e Kosovës, duke u bazuar edhe në vendimet e shteteve tjera, duhet të gjejë forma për financimin e humbjeve dhe rimëkëmbjes ekonomike. Një nga format e duhura, sipas tij, është rritja e borxhit.

“Rritja ekonomike, në qoftë se realizohet në parametrat e caktuar dhe nëse lejohet një gjë e tillë, atëherë deficit do të kompensohet, sepse vetë natyra e zhvillimit ekonomik ka karakter zinxhiror. Prandaj, ne nuk duhet të frikësohemi nga këto masa, sepse këto masa kanë përdorur edhe vendet tjera. Nëse e shikojmë në aspektin global, padyshim që Kosova në raport me vendet tjera, ka qenë mjaft konzervative me politika ekonomike, prandaj i lejohet, ka hapësirë të mjaftueshme që të financojë borxhin”, tha Ramosaj.

Edhe shteti i Zvicrës ka paralajmëruar se deficiti i buxhetit të këtij shteti mund të arrijë në rreth 6 për qind.

Zvicra kishte një tepricë të buxhetit federal prej rreth 3.4 miliardë euro në vitin 2019, por sikurse vendet e tjera të botës, vendi është detyruar të mbyllë pjesën më të madhe të ekonomisë gjatë javëve të fundit, për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19, ka thënë në muajin prill ministri i Financave, Ueli Maurer.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se për shkak të pandemisë së koronavirusit, ekonomia e Kosovës do të “goditet rëndë” dhe pritet të tkurret për 5 për qind.

Zëvendësdrejtori menaxhues dhe njëherësh ushtruesi i detyrës së kryesuesit të Bordit Ekzekutiv të FMN-së, Tao Zhang, ka thënë në muajin prill se autoritetet në Kosovë kanë reaguar shpejt në përgjigje të pandemisë, por si pasojë e masave ekonomike, pritet që deficiti buxhetor të zgjerohet dhe borxhi të rritet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme