Pandemia shkakton çrregullime të jashtëzakonshme në tregtinë botërore

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Ndikimi i pandemisë COVID-19 në tregtinë globale po rezulton në çrregullime të paprecedentë të zinxhirëve të furnizimit, derisa prodhimi dhe konsumi dita ditës po shënojnë rënie të dukshme.  Anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë patën mundësinë të diskutojnë mbi këtë temë në një konferencë virtuale me ish-kongresmenin amerikan Jerry Weller, i cili tani është Këshilltar i Lartë në kompaninë ligjore të tregtisë ndërkombëtare Sandler, Travis & Rosenberg, P.A dhe Nicole Bivens Collinson, Drejtoreshë e Marrëdhënieve të Tregtisë Ndërkombëtare dhe Qeverisë në Sandler, Travis & Rosenberg, P.A., dhe Drejtoreshë Menaxhuese në zyrën në Washington.

Ish-kongresmeni Weller gjatë kësaj konference tha se pavarësisht rënieve në ekonomi duhet të merren parasysh avantazhet dhe mundësitë e krijuara në sektorët e importit dhe eksportit. Ai potencoi se Kosova duhet të konsiderojë programin e SHBA-së mbi Sistemin e Përgjithësuar të Preferencave (GSP) si pjesë të instrumenteve të nevojshme për rivitalizim të ekonomisë pas COVID-19.  Për më tepër, ai u shpreh se në rrethana të tilla stabiliteti politik është mëse i nevojshëm në të gjithë botën, meqë mos ekzistenca e këtij të fundit ndikon negativisht në strategjitë e rimëkëmbjes ekonomike. Ish kongresmeni gjithashtu theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të të gjithë mekanizmave bashkëpunues për vendet e prekura nga pandemia drejt uljes së dëmeve si ekonomike ashtu edhe shëndetësore.

Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare tregtare Nicole Bivens Collinson theksoi se pandemia ka ndikuar rëndë në ekonominë dhe tregtinë botërore duke krijuar çrregullime në zingjirët e furnizimit dhe tregjet financiare, derisa shtoi se nëse gjendja përmirësohet ka mundësi për rimëkëmbje financiare brenda dy viteve. Sipas saj, edhe pse Kina ishte duke marrë një rol udhëheqës në mesin e investitorëve ndërkombëtarë në disa vende jo të zhvilluara duke pasur kështu një proporcion të madh në mallra botërore, pandemia e ka vënë në një pozitë shumë të vështirë ku edhe ka rezultuar me tkurrje negative në rritje. Collinson gjithashtu tha se edhe ekonomitë më të zhvilluara po parashikojnë se viti 2020 do të jet vit i rënies së ndjeshme ekonomike, gjersa përmendi masat e ndryshme kufizuese të cilat kanë ndikim jashtëzakonisht negativ në tregtinë globale. Sipas saj, kufizimet e tilla kanë shkaktuar dhe mund të shkaktojnë probleme të reja meqë jo të gjitha ekonomitë prodhojnë respiratorë, barna apo produkte të tjera mbrojtëse për t’u përballur me krizën shëndetësore, ashtu si nuk prodhojnë edhe produkte ushqimore të konsumuara në mënyrë të përditshme.

Frymëzim Isufaj, zëvendësambasador i Kosovës në Shtetetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu foli mbi mundësitë ekzistuese për kompanitë kosovare që burojnë nga Sistemi i Përgjithësuar i Preferencave, duke përmendur se ambasada kosovare në Amerikë do të ishte e lumtur të ofronte asistencën e saj për ndërmarrjet e interesuara të eksportojnë në SHBA. 
Ndërsa, ndërmarrësit anëtarë të Odës Amerikane, të prekur shumë nga ndikimi i pandemisë në veprimtaritë e tyre, morrën pjesë në mënyrë aktive në këtë konferencë, duke diskutuar mbi pasiguritë e kohëzgjatjes së krizës dhe ndikimit të shtuar që ajo vazhdon ta ketë në aktivitetin ekonomik në përgjithësi, por edhe në tregti në veçanti.  

Të ngjashme