Papunësia në Eurozonë bie në nivelin më të ulët që prej vitit 2008

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Norma e papunësisë në Eurozonë ra në muajin gusht në nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë, duke vazhduar trendin rënës që ka zgjatur prej pesë vjetësh.

Zyra e Statistikave e Bashkimit Evropian bëri të ditur se norma e papunësisë në 19 vendet që ndajnë euron, ra në 7.4 për qind në muajin gusht, duke prekur nivelin më të ulët që prej muajit maj 2008, kur ekonomia nisi të ndiejë ndikimin e krizës botërore të nisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rënia nga muaji korrik zgjati trendin pozitiv të nisur në muajin gusht 2014, kur papunësia qëndronte në 11.5 për qind. Që prej atëherë, treguesi ka rënë apo ka mbetur i pandryshuar çdo muaj.

Rënia në muajin gusht ishte surprizë, ndërkohë që ekonomistët prisnin një normë të pandryshuar nga muaji korrik. Papunësia në muajin gusht ra në vendet që kanë normën më të lartë, çka tregon se ndasitë ekonomike mes bllokut po tkurren, pavarësisht se janë ende të mëdha.

Në Spanjë, norma e papunësisë ra në 13.8 për qind në muajin gusht, ndërsa në Itali, treguesi preku 9.5 për qind. Greqia, që është vendi me normën më të lartë të papunësisë, regjistroi një rënie në 17 për qind.

Në Gjermani dhe Francë, që janë dy ekonomitë më të mëdha të Evropës, norma mbeti e pandryshuar në 3.1 për qind dhe 8.5 për qind në mënyrë respektive. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme