Papunësia në vendet e BE-së arrin në 6.7 për qind

Prishtinë | 06 Nën 2018 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Norma e papunësisë në vendet e Bashkimit Evropian gjatë muajit shtator 2018 ishte 6.7 për qind, krahasuar me muajin gusht 2018 që ishte 7.5 për qind. Ndërsa, papunësia në Eurozonë në muajin shtator 2018 ishte 8.1 për qind, krahasuar me 8.9 për qind që ishte në muajin gusht 2018.

Eurostat vlerëson se 16.57 milionë burra dhe gra në vendet e BE-së, prej të cilëve 13.15 milionë në Eurozonë, ishin të papunë në muajin shtator 2018. Krahasuar me gushtin 2018, numri i personave të papunë u zvogëlua me 35 mijë në BE dhe u rrit me 2 mijë në Eurozonë. Krahasuar me muajin shtator 2017, papunësia ra me 1.79 milionë në vendet e BE-së dhe me 1.31 milionë në Eurozonë.

Në mesin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, normat më të ulëta të papunësisë në muajin shtator 2018 janë regjistruar në Çeki me 2.3 për qind, Gjermani dhe Poloni me 3.4 për qind, ndërsa normat më të larta të papunësisë janë vërejtur në Greqi me 19 për qind dhe Spanjë me 14.9 për qind.

Krahasuar me një vit më parë, shkalla e papunësisë ra në 27 shtete anëtare dhe mbeti e qëndrueshme në Estoni. Zvogëlimi më i madh u regjistrua në Qipro nga 10.2 për qind në 7.4 për qind, Kroaci nga 10.5 për qind në 8.2 për qind, Greqi nga 20.9 për qind në 19.0 për qind, Portugalia nga 8.5 për qind në 6.6 për qind dhe Spanja nga 16.7 për qind në 14.9 për qind.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme