Paralajmërohet edhe shtrenjtimi i bukës – Qytetarët të lodhur nga inflacioni kërkojnë nga Qeveria të ndërhyjë

Prishtinë | 29 Qer 2022 | 10:05 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas shtrenjtimit të karburanteve dhe rrymës elektrike, qytetarët e Kosovës pritet të përballen edhe me shtrenjtimin e bukës. Sipas furrtarëve, rritja e çmimit të miellit në tregjet ndërkombëtare, por edhe e energjisë, pritet të reflektohen në çmimin e bukës,

Njëri nga pronarët e një furre në Prishtinë, nuk deshi të flasë para kamerës, por tha se çmimi i bukës shumë shpejt pritet të bëhet 60 cent.

Një paralajmërim i tillë ka shqetësuar edhe qytetarët të cilët e shohin të papranueshëm rritjen e çmimit të bukës. Të intervistuar nga Ekonomia Online, ata kanë kërkuar nga Qeveria që të reagojë e mos të lejojë shtrenjtimin e bukës – që sidomos për popullatën më të vobektë është produkt esencial.  

Xhevdet Visoka tha se shkaku i rrogave të vogla, rritja e çmimit është e papërballueshme për të.

“Mu ma merr mendja që është pak tepër nëse rritet buka. Për shkak të rrogave, për shkak të këtyre sendevetë tjera është e papërballueshme nëse bëhet kjo ngritje e çmimeve të bukës. Duhet të reagojë Qeveria dhe ta parandalojë këtë rritje”, tha ai.

E mllefosur me paralajmërimet për rritje të çmimit është shprehur Mirvete Berisha. Tha se buka është jetike për qytetarët dhe si e tillë nuk duhet të lejohet shtrenjtimi.

“Njerëzit janë lodhur, ushqimet, vaji të gjitha po shtrenjtohen nuk e di populli çka ka me ba. Buka është në pyetje, nëse s’e kanë edhe bukën, shumë vështirë ia dalin”, ka thënë ajo.

Zylfije Krasniqi, tha se rritja e çmimit mund të jetë i papërballueshëm për dikend, e për dikë po, teksa ka kërkuar të reagojë Qeveria.

“Shumë është, shumë është se nuk i ka 300 gram”. Ajo thotë se dikush mund t’i përballoj këtë rritje, por shumica jo. “Për besë dikush po, e dikush hiç. Qeveria nuk duhet t’i lejojë këto gjëra, se dikush vuan”, tha ai.

Aktualisht në shumicën e furrave në Kosovë, çmimi i bukës është 40 cent deri në 50 cent. 

Por, disa furra në Gjilan gjatë ditë së djeshme e kanë ngritur çmimin në 60 cent, për çka kanë reaguar inspektorët e tregut.

Nga furrtarët në Gjilan, Inspektorati i Tregut ka kërkuar dokumentacion për të vlerësuar ngritjen e çmimeve.

“Inspektorët e tregut kanë verifikuar çmimet, deklaracionin dhe peshën e bukës. Me këtë rast është konstatuar që ka ngritje të çmimit të bukës prej 0.50 € në 0.60 €. Inspektorët e tregut kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për të vlerësuar nëse ngritja është si pasojë e ngritjes së çmimeve të produkteve të tjera si miell, vaj etj, është ngritje artificiale apo të pajustifikueshme”.

Furrtarëve në Gjilan iu është dhënë tri ditë kohë që të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar.

Të ngjashme