Paralajmëron KE: Investimet kineze në Ballkan po pengojnë objektivat evropiane

Prishtinë | 22 Pri 2019 | 11:46 | Nga Ekonomia Online

Disa investime kineze rrezikojnë të krijojnë në Ballkanin Perëndimor prishje të ekuilibrave makroekonomike dhe varësi ndaj borxhit, si edhe të ndikojnë në objektivat e Bashkimit Evropian në rajon. Kështu tha një zëdhënës në prag të prezantimit të një projekti energjetik në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Euraktiv kishte kontaktuar ekzekutivin evropian, menjëherë pas një vendimi të marrë nga Parlamenti i Bosnjës dhe Hercegovinës, ku ka dhënë pëlqimin paraprak për të pranuar një kredi prej 614 milionë eurosh që do të shërbejë për të ndërtuar një projekt energjetik që përfshin Kinën.

Sipas një prej zyrtarëve më të lartë të bllokut evropian, mbështetja financiare dhe politike e Bosnjës dhe Hercegovinës për ndërtimin e një fabrikë të qymyrgurit mund të ketë pasoja të gjera në drejtim të perspektivave të anëtarësimit të këtij vendi ballkanik në Bashkim Evropian.

“Federata duhet të jetë e pavarur në drejtim të projekteve energjetike”, deklaruan ligjvënësit, duke shtuar se ndërtimi i Bllokut 7 është një projekt shumë i rëndësishëm dhe me interes të madh publik.

Duke iu referuar investimeve të Kinës në rajon, zëdhënësi i Bashkimit Evropian përmendi shembullin e Malit të Zi dhe mënyrën sesi ai po funksionon.

“Një kredi kineze për ndërtimin e një autostradë po kufizon shumë hapësirën fiskale të vendit dhe gjithashtu ka rritur borxhin publik me mbi 70 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Pra, këto investime shpeshherë vijnë të shoqëruara edhe me një sërë pasojash. Dhe janë pikërisht këto pasoja që ndikojnë në objektivat tona, domethënë në drejtim të përmirësimit të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të rajoneve të Ballkanit Perëndimor, por edhe më larg, për shembull në Afrikë”, vazhdoi më tej zyrtari i Bashkimit Evropian.

Në samitin e XXI-të të Bashkimit Evropian i cili u zhvillua në Bruksel, unioni kërkoi një marrëdhënie të balancuar, e cila siguron konkurrencë të drejtë dhe qasje të barabartë në treg.

Më 28 mars, komisionari Johannes Hahn, zhvilloi një vizitë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe vuri në dukje se vendi duhet të përpiqet të heqë dorë nga prodhimi i energjisë nga qymyrguri dhe të investojë më shumë në burimet e ripërtëritshme. Vendet kandidate për në Bashkim Evropian (Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) si dhe kandidatët e mundshëm (Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova) janë pjesë e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian, si edhe janë anëtarë të Komunitetit të Energjisë.

Zyrtari i Bashkimit Evropian tha se këto vende duhet të respektojnë dispozitat përkatëse të MSA-së dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë në lidhje me ndihmën shtetërore. Në këtë drejtim, çdo ndihmë shtetërore që shtrembëron ose kërcënon të shtrembërojë konkurrencën duke favorizuar ndërmarrje të caktuara ose produkte të caktuara, për aq sa mund të ndikojnë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe në këtë rast, Bosnja dhe Hercegovina, nuk është në përputhje me funksionimin e duhur të MSA-së dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian shtoi se Sekretariati i Komunitetit të Energjisë shprehu shqetësime të qarta në lidhje me mospërputhjen me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore lidhur me zhvillimin e projektit të Bllokut 7.

“Autoritetet e Bosnjë dhe Hercegovinë duhet t’i adresojnë këto shqetësime dhe të kërkojnë një zgjidhje në të mirë të të gjitha palëve të përfshira”, përfundoi ai. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme